
Nga Luigj MILA
Kur më thanë se kryeministri kishte shkuar në Spaç, menjëherë mendova burgun. Qeveria më fund paska vendosur që të ngrihet në nivelin që i`a kërkon detyrimi dhe ligjor, thashë me vete, për ta kthyer këtë këtë burg-simbol, në muzeum.
Por jo. Nuk ishte thënë. Kryeministri as që i`a kishte hedhur sytë atyre ndërtesave të përbindshme, gjysëm të rrënuara, të cilat janë “dëshmitare” memece të vuajtjejeve dhe sakrificave të panumërta dhe të pamerituara të 1400 bijve të kësaj toke. Nuk denjoi kryeministri ynë socio-politiko-artistik të ndalej të paktën aty,në sheshin ku sot valëvitet flamuri ynë. Katër martirë u flijuan në vitin 1973 që sikurse sot, flamuri kombëtar të valëvitej pa damkën e fëlliqur të yllit komunist. Nuk denjoi kryeministri as të ndalonte për të parë se ku i kishin kaluar dhjetra vitet e tyre të burgut klerikë të nderuar si: Hafiz Sabri Koçi, Pjetër Meshkalla, Dom Zef Simoni, e ndër ta edhe Kardinali aktual, Ernest Troshani.
Si qëndron puna me kryeministrat tanë? Çfarë kanë ata me Spaçin? Përse kjo mospërfillje? Jo vetëm që nuk kanë bërë asnjë përçapje për t`a mbrojtur dhe rikonstruktuar, por as që kanë marrë mundimin t`a vizitojnë ndonjëherë. A nuk u bën përshtypje fakti që pothuajse të gjithë ambasadorët e huaj dhe përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare mike të Shqipërisë, kanë qenë tashmë disa herë në ish burgun e Spaçit?
Përse duhej të liheshin ish burgjet e diktaturës komuniste si Qafë Bari, Gurth Spaç, Spaç, Kampi i Tepelenës, Ballshi etj. të plaçkiteshin dhe të shkatërrohen nën peshën e kohës pa menduar aspak se këto objekte kanë qenë jo vetëm mjete represioni për qindra mijëra ish të burgosur të ndërgjegjes, por për më tepër këto burgje janë një dëshmi e pamohueshme se kur e keqja mbretëronte, duke dhunuar çdo të drejtë universale dhe traditë kombëtare dhe njerëzore, ne nuk heshtëm, por u ngritëm. U ngritëm pa pyetur për çmimin që shpeshherë ishte shumë i lartë por jo i tepërt.
Prandaj i nderuar kryeministër, ju patët një shans të jashtëzakonshëm, të ishit i pari kryeministër që viziton Spaçin. Nuk e shfrytëzuat.
Ndoshta asgjë nuk do ndodhte as pas kësaj vizite dhe Spaçi përsëri do vazhdonte të vuante agoninë e harresës por të pakten një fije shprese do të mbetej…







