Kriza në PD dhe mundësia e zgjedhjeve të parakohëshme vendore, ja si përgjigjet kryebashkiakja Voltana Ademi

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e ftuar në emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, foli për situatën politike në vend dhe gjendjen në PD. Ademi tha se PD është në krizë të madhe dhe tha edhe pse nuk ka marrë pjesë në “Foltoret” e Sali Berishës.

Çim Peka: Do të kandidoni për kryetare të Bashkisë së Shkodrës nëse presidenti shpall datën dhe e dyta, meqenëse nuk morët pjesë as në “Foltore”, mund të fitoni në Shkodër pa mbështetjen e bazës së Sali Berishës?


Voltana Ademi: Do të jem krejt e drejtpërdrejtë. Mendoj se jemi në një zallamahi të paimagjinueshme juridike, në kushtet kur ndodhen bashkitë pa kryetar, të zgjedhur më datë 30 qershor. Vendimi i GJK do të duhet të lexohet mirë nga institucionet e duhet që të presim sesi po i lexojnë institucionet, për të kuptuar nëse dhe kur do të kemi zgjedhje dhe nëse do të bëhen për gjashtë apo për 61 bashki.

Si për 6, si për 61, jam kryetare bashkie sot dhe jam luftëtarë e paepur. Punoj shumë dhe besoj se nëse populli të mbështet, vlen të kandidosh. Forca politike dhe institucionet politike janë të rëndësishme. Njerëzit politikë të PD dhe populli është mbi të gjitha.

Çim Peka: Përse nuk morët pjesë në Foltoren e Sali Berishës?

Voltana Ademi: Kjo sepse kam pasur disa probleme familjare, nuk kam pasur mundësi as që të angazohem as në diskutim publik. PD ka krizë goxha të rëndësishme, që do të duhet të diskutohet. Mendoj se po vuajmë një konsensus heshtjeje brenda PD, tek niveli drejtues, por edhe gjithë anëtarësisë. Mendoj se këtë gjë po e vuajmë. Mendoj se do të duhet të zhvillonim debatet herët. Gjithmonë diskutimi duhet të jetë i mirëpritur dhe këtë gjë, PD nuk ka arritur që ta bëjë.

Çim Peka: Do ta firmosni forlumarin për mbledhjen e Kuvendit apo jo?

Voltana Ademi: Unë nuk jam anëtare aty, nuk ma kanë dërguar, por sigurisht që, nëse Kuvendi do të mblidhet, unë jam e angazhuar dhe nuk mund të bëj sikur nuk e shoh atë gjë që po ndodh e mos të jem.