Kriza energjitike në vend, zbardhet vendimi i qeverisë i marrë sot, ja çfarë do të ndodhë në Shqipëri…

Është zbardhur vendimi i miratuar mëngjesin e sotëm në Këshillin e Ministrave, ku u vendos shpallja e gjendjes së emergjencës për furnizimin e vendit me energji elektrike. Vendimi parashikon ngritjen e një grupi ndërinstitucional për menaxhinimin e furnizimit me energji elektrike, në krye të të cilit do të jetë zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Gjithashtu plani parashikon pezullimin e investimeve nga ana e Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a. Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Tetor 2021:


V E N D I M PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.

Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.

Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.

Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.

Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Kryeministri Edi Rama