
Sot u zhvillua në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca paraprake e gjykimit për gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, i cili është i akuzuar për korrupsion. Gjykata kaloi për gjykim dosjen penale në ngarkim të Shkëlqim Mirit dhe avokati i ketij të fundit ka kërkuar gjykim të shkurtuar, që do të thotë se, edhe nëse shpallet fajtor për akuzën e ngritur, dënimi i ulet me 1/3.
Për kërkesën për gjykim të shkurtuar, gjykata do të shprehet kur të nisë shqyrtimin e dosjes në themel.
Shkëlqim Miri është hetuar në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjyqtari u ndalua në 10 Nëntor të vitit të kaluar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që në banesën e tij, policia gjeti një shumë prej gati 30 milionë lekë të rinj.
Sipas organit të akuzës, gjyqtari Miri ka marrë para në këmbim të ndryshimit të akuzës për shtetasin Gentian Doda, nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje. Doda ishte ekstraduar nga SHBA, pasi ishte në kërkim për një vrasje të dyfishtë në Burrel në 1997-n. /panorama.com.al/