Kampioni Jurgen Uldedaj, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm pas fitores së ndeshjes së mbrëmshme me Edin Puhalo: Është renditur ndër 5 më të mirët e 4 Federatave Kryesore të boksit profesionit WBA, WBO, WBC dhe IBF, duke u bërë shqiptari i parë me këtë rezultat në historin e boksit profesionist! E para gjë që pranohet nga të gjithë, është një sukses mëse i merituar, i bazuar në talentin e padiskutueshëm por edhe tek puna e vazhdueshme, regjimi sportiv dhe përkushtimi në arritjen e synimeve në karrierë.
Në boksin profesionist shqiptar, Jurgen Uldedaj mund të konsiderohet një fenomen, jo thjeshtë për titujt apo edhe fitoret. Është një sportist kokulur, deri në kufinjtë e modestisë, duke mos preferuar “prozhektorët” e reklamave të panevojshme. Por të gjitha arritjet e tij, kanë në fokus stërvitjen, aftësimin e vazhdueshëm profesional, duke qenë shembull edhe jashtë ringut.
Jurgen, sot 27- vjeç, e nisi sportin e boksin rreth 11 vite më parë. E nisi si amator me një ndeshje në Shkodër, me 10 maj 2013. Ishte kjo fitorja e parë zyrtare në karrierën si boksier për të vijuar në nivelin amator vetëm 8 ndeshje apo 24 raunde sepse synimet e tij ishin të tjera, përfshirja në nivelin më të lartë të boksit, atë profesionist. Iu deshën 2 vite punë e stërvitje për të arritur në datën 14 nëntor 2015, kur Jurgen debutoi në boksin profesionist, duke marrë edhe fitoren e parë.
Nga ajo ditë, sukseset e tij janë mbresëlënëse: 20 ndeshje si profesionist me 19 fitore, 8 prej të cilave me KOs, me 117 raunde të zhvilluara si profesionist! Fitorja e fundit, ajo e të premtes së djeshme, ku i mjaftuan më pak se 2 raude për të fituar ndaj rivalit dhe me KOs.
Jurgen Uldedaj është në kulmin e fuqive dhe aftësive për të vijuar fitoret e marrjen e titujve. Ka një faktor shumë të rëndësishëm që ndikon në të gjithë ecurinë e tij, sigurisht përveç trajningut modern në Magdeburg të Gjermanisë, ku ka edhe rezidencën e tij: Familja, e cila e mbështet fuqimisht dhe pa kushte në përmbushjen e synimeve të tij sportive!
Jurgen Uldedaj tashmë është sportist elitar, përfaqësues i denjë i ngjyrave kuqezi në sportin e boksit profesionist. I lindur në Lezhë nga një familje me orgjinë nga Malësia e Madhe, me start karriere në Shkodër me ekipin kampion absolut të boksit në Shqipëri, i trajnuar me disiplinën dhe profesionalizmin gjerman, 27- vjeçari tashmë e ka regjistruar emrin në majën e përfaqësimit të boksit shqiptar në botë, duke mishëruar vlerat më të mira të trashëguara e të fituara gjatë jetës. Por sigurisht, historia vazhdon, është akoma në zhvillim intensiv… /Nga Blerti DELIJA/