KQZ akuza Qeverisë: Po përdor infrastrukturën shtetërore për fushatën elektorale…

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akuzoi qeverinë se po përdor institucionet publike dhe burimet shtetërore në funksion të fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme vendore, në shkelje të Kodit Zgjedhor shqiptar. Në një njoftim publik të Enjten, KQZ bëri të ditur se i ka kërkuar institucioneve kryesore të vendit të heqin nga faqet e internetit imazhet dhe sloganet elektorale, ndërsa bën të ditur se ka marrë një ankesë në lidhje me këto keqpërdorime.

Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesës me email të BIRN për komente mbi këtë akuzë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me shkresë zyrtare të gjitha institucioneve për t’iu kujtuar atyre ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal në funksion të fushatës zgjedhore,” thuhet në njoftimin për shtyp të KQZ.

“Shqipëria që Duam”

Instituti i Studimeve Politike, një organizatë në Tiranë, njoftoi KQZ-në së fundmi se faqet kryesore të institucioneve publike kanë vendosur sloganin “Shqipëria që Duam”, e cila përdoret nga qeveria në një fushatë komunikimi publik, e cila ka nisur tashmë prej muajsh. Banderolat me këtë logo janë vendosur jo vetëm nëpër faqe interneti, por edhe në zyrat e korporatave nën pronësi publike si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike apo Posta Shqiptare. Banderolat, të cilat dukshëm mbartin ngjyrat elektorale të Partisë Socialiste, sipas KQZ-së, bien ndesh me nenin 88 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e burimeve të organeve publike në mbështetje të kandidatëve apo forcave politike.

Kjo përbën gjithashtu edhe shkelje të Dokumentit të Kopenhagës, dokumenti themelor në bazë të së cilit vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë cilësinë e zgjedhjeve në vendet anëtare të OSBE-së.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama është kritikuar edhe në të shkuarën për shkelje të këtij kriteri të Dokumentit të Kopenhagës, në veçanti në vitin 2015, kur zyrtarët e Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale (ALUIZNI) u shfaqën në krahë të kandidatëve të koalicionit qeverisës duke shpërndarë dokumente legalizimi në fushatë elektorale.

Ministri të partisë

Plaftorma e Bashkëqeverisjes, e cila është faqja e internetit e fushatës së Partisë Socialiste, gjendet aktualisht në faqet e internetit të shumicës dërrmuese të institucioneve publike duke e bërë ndarjen mes shtetit dhe partisë qeverisëse inekzistente. Faqja kryeministria.al e Këshillit të Ministrave ka një baner të madh të kësaj plaftorme dhe po kështu edhe faqja e Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka në faqen e internetit një fashë masive me ngjyrat e fushatës elektorale socialiste bashkë me sloganin “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” dhe po kështu edhe Ministria e Mbrojtjes ndërsa Ministria e Financave ka një kuadrat të linkuar me faqen Shqiperiaqeduam.al në faqen e vet zyrtare. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë ka njëkohësisht logon e portalit të bashkëqeverisjes si dhe fashën “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” në faqen e vet në internet. /Marrë nga Reporter.al/

Loading...

Më shumë artikuj nga ShkodraWeb:

MINUTA E FUNDIT/ Mbërrin në gjykatë polici i video- skandalit të Malësisë së Madhe, ja çfarë do të kërkojnë palët në gjykim… (video)

DETAJET/ Shën Valentin i trishtë sot, gjendet e pajetë afër liqenit 49- vjeçarja- dyshimet e para të policisë…

MINUTA E FUNDIT/ Byroja e Kuvendit e përjashtoi 10 ditë nga punimet parlamentare, Garda e Policia procedim penal për Edi Palokën…(foto)

Close