Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për media ka dhënë informacione lidhur me zgjedhjet vendore që do mbahen më 14 maj të 2023.
Celibashi ka bërë me dije se më 6 mars të 2023 përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike dhe më 15 mars përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve. Po ashtu, bëri me dije se më 14 prill fillon fushata zgjedhore dhe më 13 maj përfundon fushata zgjedhore dhe fillon heshtja zgjedhore.
“Më 13 janar 2023 fillon afati për raportin e institucioneve publike në lidhje me veprimtaritë e tyre me karakter publik të cilat ata planifikojnë ti zhvillojnë gjatë periudhës zgjedhore. Në 6 mars përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike, pra jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Më 15 mars 2023 përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve. Më 27 mars përfundoni afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar bashkie si dhe listave shumëemërore për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Më 14 prill fillon fushata zgjedhore. Në 8 maj përfundon afati për publikimin e sondazheve. Dhe më 13 maj përfundon fushata zgjedhore dhe fillon heshtja zgjedhore. Me interes për vëzhguesin, përfshi dhe median, janë afatet që lidhen me akreditimin e tyre Në 2 maj 2023 është afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për akreditim të vëzhguesve vendas përfshirë këtu edhe mediat. Në 11 maj 2023 përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për vëzhguesit ndërkombëtar.
Më 23 nëntor të këtij viti 2022, është afati për shpalljen e listës paraprake të zgjedhësve, 30 ditë pas nxjerrjes së dekretit nga Presidenti. Në 15 mars 2023 përfundon afati për të kërkuar ndryshime në listën paraprake të zgjedhësve dhe në 9 prill 2023 shpallet lista përfundimtare e zgjedhësve. KQZ ka filluar punën në kuadër të përgatitjes së listave të përzgjedhësve”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ bëri me dije dhe disa të dhëna lidhur me buxhetin dhe kostot e këtij procesi zgjedhor që sipas tij shkojnë në 2.3 miliardë lekë.
“Kemi disa të dhëna me buxhetin dhe koston e këtij procesi zgjedhor. Sipas vlerësimit të KQZ dhe sipas kërkesave që KZQ i ka bërë Kuvendit, kosto e zgjedhjeve të ardhshme është 5.3 miliardë lekë prej të cilave 3 miliardë është kosto për projektin e votimit elektronik në 6 bashki të tjera, në rast se ky projekt do realizohet do ketë këtë kosto. Gjithë pjesa tjetër e diferencës nga 5.3 miliardë duke zbritur 3 miliardë, përbën koston e gjithë aspekteve të tjera të procesit zgjedhor, 603 milionë lekë do kushtojë implementimi i sistemit të identifikimit elektronik; 124 milionë është kostoja për kamerat në vendet e numërimit të votave, 150 milionë është kosto për kamerat në qendrat e votimit; 202 milionë është kostoja për projektet e edukimit dhe informimit të zgjedhësve; 210 milionë kosot për pagesat e komisionerëve. Janë 352 punonjës që do angazhohen nga KQZ me kohë të pjesshme. Kemi përgatitur planin e punës për këto zgjedhje”, shtoi Celibashi.
Më tej pyetur për Partinë Demokratike dhe regjistrimin në zgjedhje, në një kohë kur drejtimi i saj pretendohet nga dy palë, Celibashi deklaroi se kur të ketë dokumentacionet përkatëse do të japë një përgjigje. “Nuk kam asnjë lloj përgjigje. KQZ mund t’iu thotë me siguri se kush ka qenë kryetar i PD në zgjedhjet e pjesshme të këtij viti të marsit dhe në 2021. Se si do të jetë situata me regjistrimin e çdo subjekti zgjedhor do e themi kur të bëhet kërkesa. Në momentin që do kem dokumentacionin përkatës për kërkesën që lidhet me regjistrim do e keni dhe përgjigjen”, tha Celibashi.