“Koorporata” e korruptuar e drejtësisë drejt ferrit, po për viktimat si nuk mendoi askush…?

Loading...

Perceptimi i qytetarëve shkodranë gjatë këtyre 28 viteve për “drejtësinë” shqiptare nuk paska qënë i gabuar. Nuk mund të flitet për korrupsion individual të disa (pak) gjyqtarëve e prokurorëve, por për një koorporatë të mirëfilltë kriminale në formën e një piramide që është pasuruar duke shkatërruar në jo pak raste jetë njerëzish të pafajshëm.

Ky është mendimi i parë që të vjen në mendje, duke nisur nga dita e sotme e duke parë pas në kohë atë që ka arritur të akumulojë trupa e “drejtësisë” shqiptare në më pak se 3 dekada.

Nuk është e vështirë të kuptohet se ka qënë dhe vijon të jetë (edhe për sa kohë, nuk dihet!) një sistem që qëllim parësor nuk ka patur vënien e drejtësisë, por vënien e pasurisë, parave.

Janë qidra milionë lekë që nuk mund të justifikohen me rrogat e të ardhurat si gjyqtarë e prokurorë. Janë prona pa fund, në zonat më të shtrenjta të Shqipërisë. Janë makina nga më luksozet që për ti blerë, duhet të punosh 2 vjet pa harxhuar as edhe për një shishe ujë pa gaz. E të gjitha këto, kanë dalë nga xhepat e hallexhinjëve shqiptarë që u është dashur të përplasen në dyert e gjykatave, ku në masë duket se drejtësia është trajtuar si një mall që shitet e blihet.

Ajo çfarë është më shqetësuesja deri tani të paktën, është se pjesë e kësaj koorporate kanë qënë edhe drejtuesit më të lartë në “qeverinë” e drejtësisë siç është KLD-ja, e për rrjedhojë edhe e gjykatave apo prokurorive të të gjitha niveleve. Sespe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Paratë e pasuria e akumuluar në kurriz të atyre që detyroheshin për të blerë drejtësinë, investoheshin për të marrë pushtet në hierarkinë e sistemit.

Tani që duket se ka njëfarë shprese që diçka të ndryshojë, mendja më shkon tek hallexhinjtë që nuk morën kurrë drejtësinë, që u kalbën burgjeve ndërsa bossët kaperdiseshin kolakeve më të shtrenjta të Shqipërisë e botës me ata që i shpëtuan nga ndëshkimi i drejtësisë sepse…paguan: gjyqtarë e prokurorë! Ndërsa shpresojmë që këto antarë të koorporatës kriminale të drejtësisë të mund të qëndrojnë në sistem sa ç’ mund të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës, po me ata fatkeqë që nuk mundën të blejnë drejtësinë, çfarë do të bëhet? Me familjet e tyre, vajzat e djemtë e tyre?

Një i njohur i imi më thoshte sot se pavarësisht vetting-ut, asnjë dëm nuk iu bëhet atyre që dalin jashtë. Para dhe pasuri pa fund, përveç atyre që kanë deklaruar për efekt vetting-u, marrin një licencë avokati, e njohin sistemin se si funkionon dhe ja…përsëri pjesë e sistemit!

Fatkeqësisht kështu është! Sepse sistemi i ri që po tentohet të ngrihet, kërkon sakrifica. Ndoshta më shumë se për shembjen e sistemit të vjetër. Ligjvënësi ka parashikuar që haraçin ta paguajnë sërish shqiptarët. Nuk dimë se përse, vettingu nuk ka parashikuar që asetet që gjyqtarë e prokurorë nuk mund të justifikojnë, ti sekuestrohen të paktën. Në mos të gjitha, një përqindje. Çfarë dallimi ka në mes një individi që fiton para, ngre pasuri me drogë e prostitucion dhe një gjyqtari apo prokurori që bën të njëjtën gjë duke shfrytëzuar edhe pozicionin publik- zyrtar? Madje ky i fundit, duhet dënuar shumë më ashpër. Mbase edhe për të dëmshpërblyer atq që nuk gjetën drejtësi kurrë sepse nuk patën para për ta blerë.

Kjo që shkruaj, është thjeshtë një ëndërr. E di se nuk do të realizohet kurrë. Por, nëse ky vetting është i vertetë, gjithëpërfshirës dhe i pandikuar politikisht, do të duhen vite në mës dekada të japë fryte. Edhe në këtë rast, haraçin mbetet ta paguajmë ne. Dike nisur nga rrogat milionëshe të njerëzve që duhet të garantojnë vetting-un.  /Shënim i ShkodraWeb/

Loading...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.