Koronavirusi kërkon impenjim serioz dhe jo propagandë…!

Kur dëgjoj buletinët e përditshme të Institutit Spalanzzani (Romë), nuk mund të mos shqetësohem dhe trishtohem për nivelin e mjerueshëm për sa i përket masave të marra për mbrojtjen ndaj koronavirusit të ri N 2019 në Shqipëri.

Papërgjegjshmëria dhe mënyra sipërfaqësore në trajtimin e kësaj situate tepër alarmante nga strukturat e ministrisë së Shëndetësisë janë evidente që në mungesën e kontrolleve serioze në pikat hyrëse në Shqipëri ku në rastin më të mire shihet ndonjë personel shëndetësor i cili përtej përkushtimit mbrojtje të vetme ndaj këtij virusi kanë një maskë të thjeshtë kirurgjikale dhe si mundësi për ta identifikuar vetëm aftësinë për të pyetur qytetarët për simptomat.


Pajisjet mbrojtëse mungojnë plotësisht edhe për personelin mjekësor të autoambulancave, të cilat do të përdoren për transportin e një pacienti të dyshuar si të prekur nga ky virus, ashtu siç mungojnë edhe autoambulancat e posaçme të pajisura në mënyrë adekuate.

Për të vazhduar me mungesat e theksuara në qendrat pritëse të specializuara, duke filluar që nga numri tepër i ulët i shtretërve të pajisur në mënyrë adekuate për të pritur një fluks qoftë edhe të vogël pacientësh të prekur, numri i vogël i shtretërve të pajisur me aparate respiratore, numër i cili reduktohet akoma më shumë po të kemi parasysh që rastet e pacientëve të prekur nga virusi nuk do mund të trajtohen në ambientet e reanimacioneve në prezencë të pacientëve me patologji të tjera.

Numri tejet i vogël apo mungesa e bokseve izolues mundësisht në presion negativ.

Mungesa e veshjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor i cili do të trajtonte këta pacientë si kominoshet e padepërtueshme, dorezat, maskat mbrojtëse n95, vizierat (maska xhami) për mbrojtjen e mukozave etj. Cilësia tepër e dyshimtë e ilaçeve që mund të përdoren për trajtimin e komplikacioneve apo patologjive të tjera shoqëruese.

Po të shtojmë këtu edhe mungesën e plotë të informimit apo trajnimit të personelit shëndetësor të sistemit parësor si kurrë më parë, situata bëhet dramatike dhe përgjegjësia kriminale.

Nga kontaktet me kolegët e parësorit mësoj që deri më sot asnjë mbledhje, asnjë trajnim, asnjë alert nuk është ngritur në këtë shërbim kaq të rëndësishëm që përfaqëson pikën e parë të kontaktit me pacientin e sëmurë.

Mjeket e parësorit i presin të sëmurët me maska të thjeshta kirurgjikale e me uniformën e zakonshme. Për maska dhe tuta speciale asnjë fjalë deri më sot.

Zonja Manasterliu vazhdon shoë-n nëpër TV e spitale duke marrë rolin e mjekes e duke dhënë këshilla mjekësore teksa specialistët që mban në krah nuk hapin gojë e nuk u jepet fjala, ndërkohë që është përgjegjëse dhe duhej të merrej urgjentisht me çështjet organizative dhe sigurimin e logjistikës së domosdoshme për përballimin e situatave të tilla.

Papërgjegjshmëria dhe paaftësia e këtyre qeveritarëve është ulëritëse por të paktën mbani kontakte të ngushta dhe zbatoni udhëzimet e OBSH-së si dhe merrni shembull dhe kopjoni masat që merr fqinji ynë perëndimor Italia, një vend në pararojë në përballjen me këtë virus vdekjeprurës.
Aktivizoni dhe shfrytëzoni marrëveshjet me Italinë apo vende të tjera të zhvilluara, qoftë edhe për identifikimin dhe konfirmimin e këtij virusi të cilin e ka të pamundur ta realizojë laboratori i ISHP.

Zonja Manastirliu, mënyra më e mirë për të ulur panikun dhe shqetësimin tek qytetarët është serioziteti dhe përgjegjshmëria e të gjitha strukturave shëndetësore në trajtimin e kësaj emergjence, mjaft me propagandë fasadë, sado pak duhet t’u interesojë edhe jeta e qytetarëve shqiptare jo vetëm PPP-të dhe koncesionet korruptive. /Nga Bardh Spahia, ish-deputet i PD, me profesion mjek dhe ish zëvendësministërministër i Shëndetësisë/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media