Ndërkohë që Turqia zhvillon stërvitje të frikshme në Egje dhe ka dërguar disa anije pranë Qipros, Greqia ka ngritur alarmin se këto “lojëra lufte” po vënë në rrezik rajonin. E fundit që ka vendosur t’i tregojë dhëmbët Turqisë duket se ka qenë SHBA-ja, e cila ka dërguar në rajon flotën e saj.
Flota e Gjashtë Amerikane raportohet se ndodhet tashmë në Egjeun Lindor dhe k dërguar pranë Greqisë një anije të gjeneratës më të fundit. Mediat greke bëjnë me dije se anija është pozicionuar në portin e ishullit Syros dhe pritet të vijojë misionin më në jug të Egjeut.
Ajo mund të lundrojë edhe në ujëra të cekëta me shpejtësi të madhe që shkon deri në 49 milje në orë. Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, deklaroi një javë më parë se dy ushtarët grekë po mbaheshin peng në Turqi, ndërsa të shtunën tha për të përditshmen franceze “Liberation” se Greqia është shumë pranë një incidenti fatal me Turqinë.
Ai lëshoi dhe një paralajmërim për Ankaranë, i bindur se përmes shkeljes së hapësirës ajrore dhe asaj detare greke, ajo po përpiqet të ushtrojë presion mbi Europën.