Raporto TI

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së injoron gjykatën, vazhdon të marrë vendime pa u certifikuar Asambleja

Nuk është njohur akoma ligjërisht, por Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka zhvilluar mbledhjen e dytë pas asaj të 21 shkurtit. Siç dihet, Gjykata e Tiranës nuk ka regjistruar Asamblenë zgjedhore të FSHF, çka do të thotë se Presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv janë të ngrirë dhe nuk mund të bëjnë veprime ose të marrin vendime, vetëm kur kemi të bëjmë me ato bazike, që kryesisht janë pagat e administratës dhe të komisioneve përkatëse, përfshi edhe grumbullimet e ekipeve kombëtare.

Por duket se presidenti Armand Duka dhe Komiteti Ekzekutiv nuk duan t’ia dinë për Gjykatat dhe kanë vijuar të mblidhen, madje duke marrë vendime për plotësimin e Komisioneve të Përhershme me anëtarët përkatës. Në mbledhjen e fundit, çdo anëtar i Komitetit Ekzekutiv do të mbikqyr nga një komision, apo sektor, duke nisur që nga Garat, ekipet kombëtare, arbitrimi, futbolli amator, futbolli për fëmijët, ana juridike dhe e licencimit, për të përfunduar me komunikim e marketing.

Pra, edhe pse presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv nuk janë ende legjitimë, në FSHF çdo gjë kalon në dorën e tyre, edhe pse Gjykata akoma nuk ua ka dhënë të drejtën të marrin vendime. Çështja e zgjedhjeve të FSHF është edhe në Gjykatën e arbitrazhit sportiv në Lozanë, ankimuar nga kandidati Bashkim Fino, i cili para pak kohësh u shpreh se drejtuesit e institucionit të futbollit shqiptar për momentin nuk mund të marrin vendime. Mbetet për t’u parë hapi i radhës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *