Kombetarja U-15 grumbullohet ne Shkoder, jane edhe dy futbolliste te Vllaznise (emrat)

Kombëtarja U-15 e Shqipërisë nis sot grumbullimin në Shkodër. Kuqezinjtë e vegjël do të luajnë dy ndeshje miqësore ndaj Malit të Zi, respektivisht në datat 28 shtator në orën 16:00 në Shkodër dhe më 30 shtator në Podgoricë. Në konferencën për shtyp, të pasqyruar edhe në faqen zyrtare të FSHF-së në internet, trajneri i Kombëtares U-15, Eqerem Memushaj deklaroi se kampionati shqiptar ka prodhuar elementë që bëjnë diferencën.
“Këto dy ndeshje janë një test vlerësuar, por edhe një mundësi shumë e mirë për këto mosha. Mendoj se brenda kampionatit kemi elementë të mirë, lojtarë do të thosha interesantë, dhe që bëjnë diferencën. Pres më shumë nga zona e Korçës dhe e Elbasanit për këtë moshë, në një kohë që qëllimi kryesor mbetet mekanizmi zinxhir i ekipeve kombëtare. Strategjia e ekipeve kombëtare mund të them me bindje të plotë që është një risi dhe një mundësi e madhe për të gjithë fëmijët e moshave, pasi jemi në standardet e futbollit europian në ngritjen e skuadrave kombëtare U-15, U-16, U-17, U-18, U-19, U-20 dhe U-21. Ndërkaq, nga data 27 deri në datën 30 nëntor do të nisë një tjetër grumbullim, në bashkëpunim edhe me trajnerin Mustedanagiç me moshën 2002, me lojtarë që aktivizohen jashtë Shqipërisë. Mendoj se në këtë listë kemi bërë një përzgjedhje korrekte dhe gjykoj që është një grup i mirë”,- theksoi ndër të tjerash, trajneri i skuadrës kombëtare U-15, Memushaj në këtë konferencë për shtyp. Në listën e prezantuar prej tij për këto dy ndeshje janë edhe dy futbollistë të Akademisë Vllaznia, pikërisht Albi Shpuza dhe Rejan Alivoda. /shkodrasport/