Kombëtarja “e artë” U-19 “shembet” në gola nga bashkëmoshatarët e Greqisë…

Shqipëria U19 i ka nisur si mos më keq këto kualifikuese për Europianin e kësaj grupmoshe teksa janë mposhtur në turneun që po zhvillohet në Belgjikë, nga Greqia me rezultatin 5-1. Kuqezinjtë e drejtuar nga Nevil Dede kishin krijuar një pritshmëri të madhe për këto eliminatore duke qenë se në radhët e tyre ishin bashkuar edhe elementë të ekipit Shpresa si Bullari, Broja apo edhe Ndrecka. Teksa mendohej se kualifikimi për në raundin elitë ishte i realizueshëm. Por, këto shpresa kanë marrë një goditje të fortë në përballjen ndaj Greqisë.

Rezistenca e kuqezinjve zgjati deri në minutën e 13 të pjesës së parë, kur Greqia mori avantazhin me Tzimas. Edhe pse Shqipëria provoi, në pjesën e parë shifrat nuk ndryshuan. Ndërkohë, fraksioni i dytë ishte i dobët nga kuqezinjtë të cilët pavarësisht se shënuan, pësuan edhe katër herë të tjera. Kështu, në minutën e 59, Vaxhianidhis dyfishoi shifrat.

Ndryshimet e Dedes nga stoli, teksa në lojë u aktivizuan Dobra, Çuni, Ibrahimi dhe Mero, nuk penguan rivalët të vazhdonin serinë e golave. I radhës erdhi në minutën e 72 nga Vrukas. Ndërkohë, pas tre minutave, Dobra shkurtoi shifrat me realizimin e tij. Por, kjo duket se rimobilizoi sërish Greqinë, e cila realizoi edhe dy herë të tjera brenda tre minutave me Liavas dhe Athanasakopolus.

Një kapitullim pa kushte i të besuarve të Dedes, ndërsa tashmë vëmendja shkon te ndeshja e radhës ndaj organizatorëve të Belgjikës më datë 16 nëntor. Sakaq, ndeshja e fundit në grup është ajo me Islandën, e parashikuar të zhvillohet në datën 19 nëntor.

Rezultati

Greqi U19-Shqipëri U19 5-1

Shënues: 13′ Tzimas, 59′ Vaxhianidhis, 72′ Vrakas, 85′ Liavas, 88′ Athanasakopolus / 81′ Dobra

Formacionet zyrtare:

Greqia U19: Mandas, Zagaritis, Kokovas, Gotzamanidis, Timianis, Tzavidas, Aleksandropulos, Fakis, Vrakas, Tzimas, Vaxhianidhis.

Shqipëria U19: Malaj, Shiba, Hoxha, Pici, Morina, Rrapaj (Dobra), Bullari (Çuni), Broja, Ndrecka (Mero), Beqja, Muçi (Ibrahimi) Trajner: Nevil Dede