
Jozefina Topalli ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për Kuvendin e Partisë Demokratike që u mbajt të shtunën. Topalli tha se ky Kuvend bëri ndarjen e partisë nga “pazaret” dhe nga “biznesi politik”, duke shigjetuar Lulzim Bashën.
“Nuk kam pasur kurajon ta shoh veten sepse isha shumë e emocionuar. Ka edhe një pjesë të historisë personale aty. Është rikthim pas një dekade, në një proces të jashtëzakonshëm dhe unik. Proces që do të studiohet në historinë politike të Shqipërisë.
Kuvendi, nëse Foltorja zgjoi strukturën, Kuvendi bëri ndarjen nga pazaret. Ky Kuvend me rezolutën e tij, u distancua nga bojkoti, nga djegia e mandateve. Në njëfarë mënyrë u kërkoi falje shqiptarëve, për koston dhe dëmin që u ka shkaktuar shqiptarëve. Është pika kur një forcë politike ndahet nga historia e një dekade, që ishte më shumë biznes politik.
Ju e quajtët saga, unë do ta quaj proces. Një forcë politike që është dëmtuar aq rëndë, ka nëvojë për një proces, që nuk është as i thjeshtë dhe as i shkurtër. Për gjashtë muaj ka patur aq zhvillime dhe reflektim, sa ka të gjithë probabilitetin, për të hyrë në një fazë tjetër të këtij procesi që do të rizgjojë shpresën dhe besimin”, tha Topalli.
Topalli ka komentuar edhe deklaratën e Evi Kokalarit në një studio televizive, e cila deklaroi se ajo nuk i flet dhe e shmang. Ajo tha se nuk ka njohje dhe miqësi me Kokalarin. Ndërsa Belind Këlliçi, deklaroi se Kokalari i ka dhënë një ndihmë të madhe Partisë Demokratike.