Policia gjermane ka ushtruar kontroll këto ditë në banesën ku dyshohej se qëndronte pronari i “Arbëri Garden” në Gjermani, por pa mundur ta gjejë atë. Burimet pranë grupit hetimor te Krimet e Rënda thonë se pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Arbër Çekajt, autoritetet gjermane kanë nisur punën për kapjen e tij. Mirëpo, Çekaj, i cili më së shumti jetonte në Gjermani, rezulton se nuk ka pasur një adresë të regjistruar vendbanimi.
Megjithatë, Policia gjermane ka mundur të gjejë banesën ku ka jetuar së fundmi Çekaj, por pa mundur ta gjejë këtë të fundit. Tashmë dyshimet janë se mos Çekaj është arratisur. Pronari i “Arbri Garden” u vu nën akuzë për ngarkesën prej 613 kg kokainë, që u kap më 28 shkurt në Maminas.
Ai kishte porositur kontenierin me banane në Kolumbi, ku ishte fshehur droga. Për rastin u arrestuan në flagrancë menaxheri i firmës “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj dhe shoferi i kamionit ku ndodhej kontenieri, Armando Pezaku.
Kontenieri me drogë mbërriti në portin e Durrësit më 19 shkurt të këtij viti. Burimet thonë se Dogana shqiptare pati sinjalizime nga autoritetet portuale të Livornos se kontenieri ishte i dyshimtë dhe me probleme. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare vendosën që ta kontrollojnë dhe gjetën në pjesën fundore të tij pakot me kokainë.
Pas kësaj, autoritetet, së bashku me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, vendosën që të bënin dorëzimin e komanduar të ngarkesës, për të mësuar destinacionin dhe porositësit. Agjenti doganor në Durrës telefonoi menaxherin e firmës që kishte porositur kontenierin, Donaldo Lushajn, duke e njoftuar se kishte hasur disa probleme.
Ky i fundit është paraqitur në port dhe ka pranuar që të bëhen të gjitha procedurat e zhdoganimit. Pasi janë kryer këto të fundit, është lënë që kontenieri të tërhiqej për të mësuar destinacionin.
Policia ka ndjekur kamionin që e ka tërhequr deri në magazinat e “Arbri Garden” në Maminas dhe më pas ka vendosur të ndërhyjë, duke arrestuar Lushajn dhe Pezakun. Këta të fundit, gjatë marrjes në pyetje, kanë mohuar se kanë pasur dijeni për drogën.