
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi dje listën me 25 prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, ndërsa skualifikoi nga gara 3 të tjerë.
Pas kësaj faze, lista me 25 kandidatët do t’i kalojë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili do kryejë hetimin administrativ për pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës. Ndërkohë, lista do të kalojë me prioritet në KPK, kjo me kërkesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gjatë mbledhjes së djeshme, drejtuesi i Komisionit të Posaçëm, Sandër Beci, i ngritur për verifikimin e kandidatëve, bëri të ditur se kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore dhe mund të vazhdojnë procesin e rivlerësimit, janë: Altin Dumani, Anita Jella, Anton Martini, Arben Kraja, Behar Dibra, Besim Hajdarmatja, Besnik Muçi, Doloreza Musabelliu, Donika Prela, Dorina Bejko, Dritan Prençi, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Elizabeta Imeraj, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Eugen Beçi, Klodian Braho, Maksim Sota, Manjola Kajana, Ndini Tavani, Shkëlzen Cena, Vatë Staka dhe Vladimir Mara.
Vlerësimin e kritereve ligjore, Komisioni i Posaçëm e bëri në një mbledhje të zhvilluar në datën 3 prill, në prani të përfaqësuesve të Operacioneve të Monitorimit Ndërkombëtar. Fillimisht, është vlerësuar përputhshmëria me bazën ligjore të çdo kandidati dhe më pas, u kalua çdo dosje në shqyrtim nga çdo anëtar i komisionit.
Me secilën dosje, u njohën edhe përfaqësues të monitorimit dhe bazuar në rregulloren në fuqi, Komisioni vendosi të bëjë vlerësimin paraprak të të gjithë kandidatëve, për të përcaktuar nëse plotësojnë kushtet ligjore për ngritjen në detyrë. Referuar fjalës së Becit, Komisioni diskutoi për rastin e prokuroreve Manjola Kajana dhe Enkeleda Millonai, në lidhje me problematikën e lindur për shkak të vlerësimit të afatit të detyrueshëm të vjetërsisë prej 10 vitesh në kryerjen e funksionit të prokurorit. Sipas Becit, dy prokuroret nuk e përmbushin këtë kriter, por Komisioni ka vlerësuar që të konsiderojë vjetërsi pune edhe vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës.
“Komisioni vlerësoi në shumicë që të konsiderojë vjetërsi pune edhe vitin e tretë të formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës. Komisioni arsyetoi se këto dy kandidate janë emëruar me dekret të Presidentit si prokurore në stazh me pagesë të plotë, duke ushtruar detyrën të plotë dhe duke ushtruar në bazë të ligjit të gjitha të drejtat dhe detyrimet si magjistratë. Këtu, ne u referuam në arsyetimin ligjor, në nenin 23 të ligjit për funksionim e Prokurorisë, ku parashikohet se me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Presidenti i Republikës emëron prokuror të stazh personat që kanë mbaruar vitin e dytë të Magjistraturës për të kryer stazhin profesional”, tha ai.
Pas vlerësimit të kushteve ligjore për 28 kandidatët, Komisioni i Posaçëm skualifikoi aplikantin Gëzim Cenaj, pasi nuk plotëson kushtet ligjore për të vijuar garën. Konkretisht, nga studimi i dokumenteve të paraqitura, rezultoi nuk ka qenë asnjëherë prokuror. Ndërkohë, për aplikantët Fatmir Hoxha dhe Irena Nino, Komisioni vlerësoi se të dy kandidatët kanë qenë prokurorë të Republikës së Shqipërisë dhe secili prej tyre ka një vjetërsi mbi 10 vjet në sistem. Të dy kandidatët janë larguar nga Sistemi me kërkesën e tyre. Por pavarësisht plotësimit të disa kritereve, Komisioni vlerësoi se hyrja në sistem të ish-prokurorëve, është një proces i ndryshëm nga ai i ngritjes në detyrë, duke bërë që të skualifikohen.
KANDIDATET
ALTIN DUMANI Prokuroria e Apelit Tiranë
ANITA JELLA Prokuroria e Durrësit
ANTON MARTINI Prokuroria e Krimeve të Rënda
ARBEN KRAJA Prokuroria e Përgjithshme
BEHAR DIBRA Prokuroria e Krimeve të Rënda
BESIM HAJDARMATAJ Prokuroria e Krimeve të Rënda
BESNIK MUÇI Prokuroria e Krimeve të Rënda
DOLOREZA MUSABELLIU Prokuroria e Krimeve të Rënda
DONIKA PRELA Prokuroria e Krimeve të Rënda
DORINA BEJKO Prokuroria e Pogradecit
DRITAN PRENÇI Prokuroria e Krimeve të Rënda
EDVIN KONDILI Prokuroria e Krimeve të Rënda
ELIDA KAÇKINI Prokuroria e Tiranës
ELIZABETA IMERAJ Prokuroria e Krimeve të Rënda
ENED NAKUÇI Prokuroria e Krimeve të Rënda
ENKELEDA MILLONAI Prokuroria e Elbasanit
ENKELEDA XHENGO Prokuroria e Durrësit
EUGEN BEÇI Prokuroria e Krimeve të Rënda
KLODIAN BRAHO Prokuroria e Krimeve të Rënda
MAKSIM SOTA Prokuroria e Vlorës
MANJOLA KAJANA Prokuroria e Krimeve të Rënda
NDINI TAVANI Prokuroria e Tiranës
SHKËLZEN CENA Prokuroria e Dibrës
VATË STAKA Prokuroria Shkodrës
VLADIMIR MARA Prokuroria e Krimeve të Rënda