VIDEO – “Klienti im po mbahet në burg padrejtësisht prej 30 muajsh”, flet avokati i Arsen Stojkut, nën akuzë për atentatin ndaj vëllezërve Bilali në Shkodër

Artan Gjuzi, avokati i Arsen Stojkut i cili bashkë me Mislim Ramën akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e vëllezërve Bilali në Shkodër ka deklaruar se klienti i tij qëndron prej 30 muajsh në paraburgim pa pasur prova. Ai kërkoi tërheqjen e dosjes dhe të akuzës për sa kohë thekson se nuk ka asnjë provë ndaj klientit të tij. Gjuzi paralajmëroi se këto pretendime do i paraqesë në SPAK. Kjo është seanca e tretë që dështon në gjykatën e Shkodrës ndaj Arsen Stojkut.

“Sot ishte përcaktuar seanca për Arsen Stojkun i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Bilali edhe pse nuk ka asnjë provë ndaj tij. Edhe kjo seancë dështoi për shkak të lajmërimeve të të pandehurit dhe mospjesëmarrjes së dëshmitarëve. Është e disata herë që dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës, dëshmitarë këto të cilët akuza ka formuar edhe dosjen e saj që është fare nul dhe pa prova. Dëshmitarët nuk paraqiten në seancën e radhës dhe nuk e di se si do vazhdojë kjo punë kështu pa asnjë akuzë, asnjë provë ndaj të pandehurit i cili këtu e 30 muaj mbahet kot në qelitë e paraburgimit.


Ne i kemi kërkuar inspektoriatit të lartë të drejtësisë ndihmë duke bërë ankesa të njëpasnjëshme në Ministrinë e Drejtësisë për të na siguruar një nga punonjësit e tyre për të ardhur dhe për të ndjekur proceset gjyqësore të cilat për ne janë të manipuluara sepse asnjë provë nuk është kundër Arsen Stojkut, qoftë edhe një provë e vetme, laboratorike, shkencore , dëshmitarë, sms apo ndonjë gjë tjetër por nuk ka asnjë provë. Këto tashmë janë fakte të përsëritura dhe ne çuditemi se përse ky njeri vazhdon të mbahet në paraburgim kur dëshmitarët nuk vijnë. Ata nuk janë dëshmitarë, ata janë persona të cilët forcërisht janë thirrur nga prokuroria në hetimet paraprake dhe nuk kanë asnjë lidhje me Arsen Stojkun dhe për asnjë moment nuk kanë shprehur asgjë apo nuk kanë dhënë asnjë provë kundër tij.

Arsen STOJKU

Ne do presim edhe pak dhe më pas do i drejtohemi SPAK për këto shkelje të njëpasnjëshme që bëhen kundër Arsen Stojkut. Shtyrja e dëmton procesin sepse është një i pafajshëm që po mbahet në burg dhe ka 30 muaj që po qëndron. Ftojmë prokurorin që të tërheqë dosjen sepse ajo dosje është turp që endet në gjykatë, ajo dosje po asnjë probë kushdo ta marrë edhe nëse nuk është jurist do e kuptojë se nuk ka prova. Mosparaqitja e dëshmitarëve mund të jetë e qëllimshme por ata nuk kanë çfarë të thonë, dëshmitarët janë shprehur njëherë dhe asnjë dëshmitarë nuk është shprehur apo nuk ka dëshmuar kundër Arsen Stojkut.

Me ligjin dhe para Zotit ai është komplet i pafajshëm, nuk ka asnjë provë që prokuroria të thotë se me këtë e mbaj akuzën time. Ne do të presim edhe disa seanca ku do të kërkojmë që Arsen Stojkut ti ndryshohet masat e sigurimit nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” pastaj betejën ne jemi gati ta vazhdojmë sa të duan këto dhe më pas ne do t’i drejtohemi SPAK ku do të ketë edhe masa tjera dhe procedime penale për këdo që shkelin qëllimisht ose bashkëpunojnë qëllimisht me njerëz që kanë interesa të tjera”.

Atentati ndaj vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali ndodhi në vitin 2019. Dy burrat ishin duke shkuar te motra e tyre kur mbi ta u qëllua me breshëri, pa pasur asnjë mundësi shpëtimi. Makina e autorëve rezultoi e vjedhur më parë në lagjen Perash.