
Pas publikimit të lajmit për vdekjen e 20-vjeçarit nga Çorovoda në kryeqytetin islandez, për JOQ.al kanë shkruar miq dhe të afërm të viktimës duke i dhënë një rrjedhë tjetër ngjarjes.
Fillimisht lajmi u dha sikur Klevisi ishte therur me thikë nga dy shqiptarë tjerë, por e vërteta duket larg, pasi mediat lokale bëjnë me dije që K.Sula është qëlluar nga një shtetas islandez.
Por, jo vetëm kaq, me Klevisin ka qenë edhe një tjetër shqiptar që po ashtu ka marrë plagë, por ia ka dalë t’u mbijetojë.
Iceland Monitor shkruan:
“Djaloshi që u plagos rëndë nga goditjet me thikë në sheshin qendror ka ndërruar jetë në spital. Viktima tjetër që ra pre e këtij sulmi po e merr veten.
Ndërsa, në arrest është një islandez rreth 20-vjeç i dyshuar si autori i kësaj ngjarje dhe do të dalë para gjykatës me 15 Dhjetor 2017.”
Ndërkohë miq dhe familjarë të Klevisit kanë shkruar për JOQ.al:
“Klevisi me shokun e tij të ngushtë shqiptar janë sulmuar mëngjesin e 3 dhjetorit nga një islandez te cilit dy shqiptarët i ishin ofruar për ndihmë dhe ai ishte me probleme mendore dhe i ka sulmuar me thikë. Qytetaret e shtetit Islandez kanë hapur një llogari bankare që të ndihmojnë këto dy familje dhe se shpejti do ju dërgojmë numrin e saj për te sensibilizuar sado pak dhe shqiptarët.
Islandezi ka qenë në gjendje depresioni dhe nën efekt droge, kurse shqiptaret vetëm sa i kanë ofruar ndihmë, sepse po qante dhe ai i ka sulmuar…”
Redaksia JOQ.al u kërkon ndjesë familjarëve të Klevisit, pasi nga burimet fillestare të portaleve online ku morëm materialin u njoftua se Klevisi ishte vrarë nga dy shqiptarë dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Sula, e gjithashtu shërim të shpejtë për shqiptarin tjetër që ndodhet në spital.