“Kjo ndeshje e tregoi se kush e meritonte titullin”, thumbimi i Edi Martinit ndaj Vllaznisë pas fitores së Superkupës

Edi Martini ka festuar sot trofeun e katërt radhazi në një vit me klubin e Teutës. Me durrsakët ai ka fituar Kupën, Superkupën, titullin kampion e tashmë përsëri Superkupën.

Një moment i jashtëzakonshëm për skuadrën durrsake e për vetë teknikun i cili tashmë u është përgjigjur edhe atyre që e kishin kritikuar apo kishin vënë në dyshim suksesin e durrsakëve.


Në fjalët e tij për RTSH, ai theksoi se kjo ndeshje tregoi se kush e meritonte titullin e vitit të kaluar.

“Jemi në vazhdimësinë e lojërave të mira që kemi bërë. Kjo e tregoi se kush e meritoi kampionatin se kishte konkurrencë për titullin mes nesh. Shpresoj të ketë pëlqyer loja jonë.

Fillim i mbarë? Shpresojmë se edhe vitin tjetër e kemi nisur me trofe, fituam e dolëm kampionë. E dimë që është e vështirë, kampionati është i egër, ka ekipe të forta. Shpresojmë të bëjmë më të mirën.

Merkato? Ne presim edhe një lojtar, ndoshta dy, kemi merkaton e hapur që të përmirësojmë. Edhe me këta që kemi jemi mirë. Kampionati është i gjatë, duhet të kompletojmë ekipin që të mos kemi probleme rrugës”, tha Martini në fjalët e tij.