
Komisioni Institucional i Zgjedhjeve- KIZ- i i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, nuk ka marrë sot vendim për zgjedhjet për rektor. 24 orë pasi kanë folur me votë pedagogë e studentë me të drejtë vote dhe pasi komisionet e zgjedhjeve në 6 fakultete kanë shpallur fitues Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ndryshe nga universitetet e tjera, KIZ- i këtu nuk shpall zyrtarisht rezultatet.
Në një takim ku nuk dihet nëse ishte formal apo jo formal, nëse kishte kuorum apo jo, është mësuar jo zyrtarisht se KIZ-i do të mblidhet nesër (të dielën) për të shpallur rezultatin. Arsyeja, për të pritur ankimimet e mundshme të kandidatëve (?!) në këtë garë. Është fakt publik se një kandidate, nuk ka arsye të ankimojë për shkak të rezultatit minimal të siguruar në zgjedhje, më pak vota se gishtat e dorës. Kandidatja tjetër, nuk ka asnjë motiv sepse ka qenë jo vetëm plotësisht në detyrë, por direkt ose indirekt, ka administruar procesin para, gjatë dhe pas votimit. Madje, vijon ta administrojë apo zvarrisë përmes KIZ- it.

I vetmi kandidat që ka ankimuar para dhe gjatë procesit por vetëm në media, është fituesi i garës, rektori i ri i zgjedhur Tonin Gjuraj. Na rezulton se ky kandidat, nuk ka paraqitur ankimim… Kush pritet të ankimojë…?!
Në të gjitha universitetet janë shpallur fituesit nga KIZ, siç mund të shihni edhe një nga universitetet shtetërore më lart. Pse Shkodra duhet të bëjë përjashtim, nuk janë në fuqi të njëjtat ligje e rregulla për të gjitha universitetet shtetërore?! Megjithatë, 24 orë më vonë nuk ndryshon shumë në jetën e një IAL, aq më shumë kur po shkëputet nga mëse 20 vite jetë aspak për tu krenuar. Edhe diçka, mediat nuk përcaktojnë dot rezultatin e zgjedhjeve as në universitete. Por institucionet shtetërore, kanë detyrim transparencën për qytetarët përmes mediave. Shpresojmë në të ardhmen që KIZi të dalë nga rrethimi, të fitojë edhe ai lirinë!




