Keshilli Bashkiak miraton vetem 170 milion per Vllaznine per te rivalizuar Skenderbeun?!

Për çudinë e të gjithëve, Vllaznia kërkon që të rivalizojë sezonin e ardhshëm Skënderbeun, Partizanin, Kukësin etj., për vendet e para. Të paktën ky është synimi i drejtuesve të Vllaznia sh.a. Këshilli Bashkiak i Shkodrës miratoi 170 milionë lekë të vjetër për Vllazninë për periudhën korrik-dhjetor 2017.
Administratori Astrit Gjyrezi në relacionin e paraqitur ka kërkuar 794 milionë lekë të vjetër deri në fund të vitit, por nuk u miratua. Në projektin e paraqitur në Këshillin Bashkiak, Vllaznia, e cila sezonin e kaluar siguroi mbijetesën vetëm në ndeshjen e fundit, thuhet se në kampionatin e ardhshëm objektiv të saj ka ndërtimin e një ekipi cilësor që synon vendet e para në Superiore.
Ndërsa në dokumente janë këto pretendime, anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë kërkuar largimin e këtyre drejtuesve, por edhe të stafit teknik për shkak se paratë miratohen, por mungon rezultati. Këshilltarët, të revoltuar, kanë kërkuar transparencë dhe kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje tjetër për Vllazninë sepse buxheti i kuqebluve është baras me 33% të të ardhurave që siguron vetë bashkia.
Ali Tula (këshilltar i PS-së): “Ju kërkoni kaq shumë para në një kohë që me këtë shumë sezonin e kaluar ishim shumë keq. Keni shkruar se Vllaznia synon vendet e para në Superiore. Stafi teknik duhet të japë dorëheqjen sepse nuk ka arritur rezultate dhe tani kërkojnë sërish para. Me zor shpëtuam duke u kacavjerrë. Duhet të dimë ku shkojnë këto lekë, thua se jemi Barcelona. Marrin paratë lojtarët dhe zhduken pastaj.
Pyetja që kam është se ku do merren këto lekë. Stafi teknik nuk u është përgjigjur objektivave. Kryetarja të kërkojë dorëheqjen e tyre. Këto para të shkojnë për kopshte dhe çerdhe se kemi më shumë nevojë. Të rinjtë e Vllaznisë t’i fusim në Superiore. Asnjëherë s’na është dhënë llogari dhe me të rinjtë do ishim shumë më mirë. Nuk e dimë çfarë bëhet, shiko sa paguhen të huajt, hotelet apo lojtarë që duan 3 dhoma e kuzhinë. E shoh të mbuluar dhe kamufluar këtë situatë”.
Filip Guraziu (këshilltar i PD-së): “S’ka transparencë. Të vijnë këtu drejtuesit. Ata mbase po punojnë mirë, por kolegët kanë të drejtë. Duhet të vijnë dhe të japin llogari”.
Luan Heta (këshilltar i PS-së): “Ndër gropat e zeza që ka bashkia është Vllaznia sh.a. Duhet të ishin këtu drejtuesit. Nuk është krejt faji i drejtuesve, sesa një mosfunksionim dhe një keqmenaxhim nga ana e bashkisë për Vllazninë. Duhet të dimë ku shkojnë paratë çdo vit”.
Mustafë Lici (këshilltar i MDLsë): “Neritan Kalamishi (ish-administratori) iku në Amerikë. Shpresojmë të mos shkojë ndonjë ‘Kalamish’ tjetër në SHBA nga Vllaznia. Nëse nuk jep rezultat, duhet të largohesh. Vllaznia s’ka dhënë rezultat. Unë them që klubi të mos privatizohet edhe këto 2 vite dhe ta mbajë bashkia me forcë meqë kemi fushatën për bashkinë pas 2 vitesh. Të japësh lekë për mbijetesën është skandal. Nuk e kuptoj mbijetesën për Vllazninë”.
Fatlum Nurja (këshilltar i FRDsë): “Sporti është bërë për të argë- tuar njerëzit dhe jo për hall, por në këtë rast Vllaznia është halli më i madh i bashkisë. Shuma e 2017-ës për Vllazninë duhet të kuptoni se është sa 33% e taksave të vetë bashkisë. Pra 1/3 lekë jepet për Vllazninë. Në Superiore nuk mbetëm nga drejtuesit dhe puna e tyre, por nga tifozët shkodranë që mbushën stadiumin. Vllaznia është ndër tre klubet më të financuara.
Vllaznia dhe Tirana, ekipet që u kacafytën për mbijetesë, mbahen të dyja nga bashkia dhe janë me avokat mangët në FSHF, një bandë e futbollit shqiptar. Vetëm privatizimi e zgjidh. Na vjen keq që ato para shkojnë për mungesë rezultati dhe kërkohen sërish për të njëjtën gjë. Mbajeni mend se do kaloni fatura në 2018 që s’do i paguani në 2017 sepse s’keni ku t’i merrni lekët”.
Voltana Ademi (kryetare e Bashkisë Shkodër): “Propozoj një mbledhje këshilli pas 5 ditësh në mënyrë që drejtuesit të vijnë dhe të sqarojnë në detaje. Në 2014 e kemi gjetur pa letra Vllazninë. Kemi disa gjyqe të fituara se borxhi do kishte qenë më i madh. Jam e pakënaqur me ekipin dhe s’jam presidente e Vllaznisë, por kryetarja e bashkisë. Mos më thoni presidente. Kemi bërë dy audite dhe në 2015 bëmë bilancin”.
Fatlum Nurja (këshilltar i FRDsë): “Në 2016 a ka marrë bordi 170 milionë lekë të vjetër borxh në mënyrë të jashtëligjshme pa i sjellë në Këshillin Bashkiak?”
Voltana Ademi (kryetare e bashkisë): “Me drejtuesit do sqarohet”. Pagesa janar-qershor 2017 është 526 milionë lekë të vjetër, (233 mln borxhe të prapambetura nga 2011-2015). Të ardhurat për janarqershor 2017 janë 475 milionë lekë të vjetër (450 mln nga buxheti i bashkisë dhe 25 mln të ardhura nga lojtarët e akademisë).
Shpenzimet e kërkuara për korrik-dhjetor 2017 janë 794 milionë lekë të vjetër. Nga 794 mln, këshilli miratoi vetëm 170 milionë lekë të vjetër. Borxhe të prapambetura janë 350 milionë lekë të vjetër. Të ardhurat e pritshme për korrik-dhjetor 2017 janë 118 milionë lekë të vjetër. Llogaritë e bllokuara për borxhin janë në shifrën 76 mijë euro ndaj GEA Sport (çështja në proces gjyqësor). /PanoramaSport/