
Këshilli Bashkiak i Shkodrës është mbledhur, duke krijuar korumin fillestar të nevojshëm, teksa këshilltarëve socialistë iu bashkuan këshilltarët e PD- së, teksa siç kishin paralajmëruar, këshilltarët e PSD- së nuk ishin të pranishëm.
Kryetari Oltion Luli ka konsideruar të vlefshme mbledhjen teksa në sallë ishin 31 këshilltarë nga 51 në total. Ai e ka konsideruar këtë mbledhje vijim të asaj të ndërprerë me 8 prill 2025.
Luli ka ri- njohur edhe njëherë këshilltarët me rendin e ditës, i miratuar në mbledhjen paraardhëse, teksa ka bërë me dije futjen në rend dite të projektvendimit për miratimin e fondit 6% të ndihmës ekonomike, për muajin prill 2025.
Këshilltarët e PD- së kanë kërkuar që kjo pikë, të jetë e para në rendin e ditës, duke refuzuar të shqyrtojnë e miratojnë pikat e tjera. Sipas tyre, mbledhja ishte e paligjshme dhe duhet të miratohej vetëm ndihma ekonomike për familjet në nevojë.
Kjo kerkesë ka ndeshur në kundërshtinë e këshilltarëve të PS- së, ndërsa kanë mbështetur idenë se rendi i ditës është i miratuar, teksa demokratët kanë kërkuar të rivotohet rendi i ditës.
Kryetari Oltion Luli, ka nisur shqyrtimin e projektvendimeve sipas rendit të ditës, teksa në atë moment, këshilltarët e PD- së kanë lënë sallën. Me praninë vetëm të 21 këshilltarëve, mbledhja ka vijuar me deklarata të këshilltarëve të pranishëm dhe më pas, është mbyllur pa marrë asnjë vendim.
Gjatë kësaj mbledhje, këshilltari i PSD- së Gjovalin Ndoj, ka deklaruar kalimin nga grupi i PSD- së në Këshillin Bashkiak, në atë të Partisë Socialiste.