“Kërkoj publikisht falje”, trajneri i Skenderbeut Memelli tregon sherrin me Adilin: U ofendova, por janë nerva loje

Migen Memelli ka folur pas barazimit 0-0 kundër Vllaznisë. Trajneri i Skënderbeut tregoi debatin me lojtarin e shkodranëve, Mevlan Adili i cili doli me karton të kuq pas përplasjes me teknikun pogradecar.

Ai zbuloi bisedën me qendërmbrojtësin kuqeblu dhe në fund nuk ngurroi të kërkonte falje publike për momentin e shëmtuar në një ndeshje futbolli. Në prononcimin e dhënë për Supersport, Memelli deklaroi:


“Atëherë kam hyrë mes Zguros dhe Adilit për t’i qetësuar dhe për të shuar debatin. U ofendova nga lojtari i Vllaznisë, por që janë nerva loje. Ne jemi profesionistë. Hymë në tunel dhe Enea Jorgji na ndëshkoi me karton të verdhë. E thirra tani, megjithatë është pak i mërzitur dhe janë gjëra që ndodhin në futboll. Jeta vazhdon dhe uroj më të mirën për këtë djalin.

Ndeshja? Luajtëm më mirë 11 me 11 sepse Vllaznia bëri një ngjeshje më të mirë duke luajtur me dy sulmues të deklaruar. Nuk kemi qenë konkretë te 1/3 e fushës. I thashë dhe djemve të kishim spostime në lojë. Ne i patëm rastet tona më të mira në pjesën e parë me Berishën dhe Mensah. Ishte një ndeshje që nëse do ta shikosh raportin e lojës, jam pak i mërzitur për lënien e dy pikëve, por jo për lojën.

Sherri? Ajo që po kërkoja ishte: Mevlan hyr brenda se këtë (Zguron) e mbaj unë. Kam eksperiencë me atë djalin, do ruaj timin fillimisht pastaj atë tjetrin. Ky harku i 90 minutave edhe në Premier League i njeh këtë lloj debatesh. Mos harroni Lampard me stafin e Liverpool kur ishte pjesë e Chelsea-it.

Megjithatë unë dua të kërkoj ndjesë publikisht i pari, nëse vjen dhe nga lojtari dakord. Pjekuria vjen me njeriun. Po e bëj unë hapin e parë, nëse kundërshtarin s’e bën pastaj gjë tjetër. Janë nerva loje. Doja të largoja sa më parë Zguron sepse kam eksperiencë të hidhur me të”, përfundoi ai.