Para takimit të jashtëzakonshëm për politikën ndaj refugjatëve disa shtete kërkojnë një izolim më të madh të shteteve të tyre. Në takimin e Brukselit nuk marrin pjesë shtetet e Vishegradit.
Bullgaria që kryeson aktualisht Bashkimin Evropian pritet të propozojë në takimin e jashtëzakonshëmn të 16 shteteve të BE për azilin që të mbyllen kufijtë e jashtëm të BE. Sipas medieve, Borisovi ka kërkuar “masa të menjëhershme për mbylljen e kufijve të jashtëm të BE dhe kontrolle të rrepta në kufijtë e brendshëm të BE”. Sipas gazetës Die Zeit, Borisovi ka thënë se Bullgaria nuk mund të jetë dakord si shtete të tjera që migrantët të rikthehen në ato shtete të BE ku janë regjistruar për herë të parë.
Austria: ushtarë në Ballkan, Itali e Greqi
Ndërsa ministri i Mbrojtjes i Austrisë, Mario Kunasek (nga FPÖ ultra e djathtë) kërkoi që në kufijtë e jashtëm të BE të stacionohen ushtarë. Sipas tij, ushtarët mund të angazhohen në Ballkan, në Itali dhe në Greqi, shkruan Die Zeit. “Ushtarët do të kishin një komandë civile dhe mund t’i mbështesin policët me logjistikë, me zbulim dhe në rast nevoje me përdorimin e armëve”, deklaroi Kunasek.
Tema e ndjeshme e migrimit solli të shtunën deklarata të ashpra të Italisë në drejtim të Francës. Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini e paralajmëroi Presidentin “arrogant” francez Emmanuel Macron që Franca “nuk do ta transformojë dot Italinë në një kamp refugjatësh të Evropës”.