“Kemi zgjedhur më të mirët”, Mustafaj për fazën e parë të përzgjedhjes në PD: Kam një mesazh edhe për Topallin

Komisioni i Vlerësimit në PD, ka përfunduar fazën e parë të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie në zgjedhjet e ardhshme. Në një intervistë për gazetarin e News24, Osman Stafa, anëtari i Komisionit të Vlerësimit, Besnik Mustafaj, tha se nga rreth 4000 propozime, në fazën e dytë kanë kaluar vetëm 1000 kandidatura, të përzgjedhura si më të mirët. Mustafaj thotë se në listë ka emra të rinj ku përveç propozime të atyre me kontribute në parti, bien në sy edhe propozime emrash të papërfshirë më parë në ndonjë parti politike.


Besnik Mustafaj deklaron se këta 1000 kandidatë, që kaluan fazën e parë, do të jenë edhe burimi njerëzor i Partisë Demokratike, për të qeverisur vendin.

“Ka qënë një punë voluminoze dhe e përgjegjshme. Ka qënë përgjegjësia jonë të zgjedhim më të mirët. Askush nga të propozuarit nuk është i fshirë nga lista. 1000 kandidatet do të jenë korpusi i njerëzve që PD do të qeverisë nesër”- tha Mustafaj.

Të gjithë kandiatëve të kualifikuar në fazën e dytë, u është dërguar një email nga Komisioni i Vlerësimit, ku u kërkohet që brenda 5 ditëve të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Në rast se ky formular nuk plotësohet brenda këtij afati, atëherë kandidati automatikisht cilësohet i tërhequr nga gara.

“Formulari e vë kandidatin përballë detyrimit të sinqeritetit. Kemi të drejtë të thërrasim në intervista kandidatët për deputet”- tregon ai.

Besnik Mustafaj i dërgoi mesazhe edhe ish-kryetares së Kuvendit në qeverinë Berisha, Jozefina Topallit, e cila më hërët shprehu mosbesim në këtë proces të nisur nga PD.

“Nëse Jozefina e quan procesin farsë, ndihem i fyer. Shumë nga të zemëruarit me Bashën, kanë marrë formularin. Nuk duhen përdorur preteskte për të mos u bërë pjesë e politikës, përfshirë edhe Topallin. Ne nuk jemi kujdesur për t’i siguruar rehati Bashës. Ne jemi kujdesur të kthejmë në PD vleras e saj”- thekson Mustafaj.

Pritet që ditën e hënë të nisë faza e dyte e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. Nga lista me 1000 kandidatë pritet që në fund, komisioni i vlerësimit të dorzojë në tryezen e kryetarit të PD, Lulzim Basha, rreth 300 emra, të cilët ky komisionin do i vlerësojë si më të mirët për të qënë në listën zyrtare të demokratëve për deputet në zgjedhjet e ardhshme. /BW/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!