Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric u shfaq mjaft i mërzitur për humbjen ndaj Tiranës dhe deklaroi se kuqeblutë i kanë mundësitë për të bërë shumë më mirë, por vijojnë të bëjnë gabime të rënda në fushë, sidomos në fazën mbrojtëse.
“Mendoj se kemi fuqi për të luajtur si ndaj Kukësit, ashtu edhe ndaj Tiranës, por në disa raste të caktuara, gabojmë shumë në mbrojtje. Kemi nënvlerësuar ndoshta disa situata të cilat mund të kishin shkuar më mirë. Edhe vendimet e marra në fushë ishin të gabuara, ndaj duhet të analizojmë shpejt situatën dhe ta marrim në kontroll, për të mos lënë më pikë rrugës.
Është e thjeshtë të thuash që çdo gjë ishte e keqe, por ne punojmë gjithë javën që në momentin e duhur, të marrim vendimet e duhura. Duhet të marrim situatën nën kontroll që të shmangim gabimet që bëmë sot dhe të rikthehemi në normalitet.
Sigurisht që me këto shifra golash të pësuar nuk mund të shkojmë te titulli. Duhet të luajmë më mirë si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe atë sulmuese. Kemi pësuar gola mjaft të thjeshtë dhe duhet të punojmë shumë që të jemi më të qëndrueshëm në mbrojtjen tonë. Sot u munduam shumë që të gjejmë portën, por ndoshta na mungoi edhe disi fati në fazën sulmuese.
Duhet të analizosh çdo ndeshje më vete. Sigurisht që në ndeshjet e fundit kemi humbur katër pikë, ndoshta për fajin tonë, ndoshta për gabime të gjyqtarëve, por duhet të shohim veten tonë dhe të punojmë fort për t’u përmirësuar e për t’u rikthyer në rrugën e duhur.
Lojtarët tanë nuk kanë luajtur shumë vitin e kaluar në klubet e tyre dhe këtu pritshmëritë janë të mëdha. Ne duhet t’u japim mundësinë të rikuperohen dhe të arrijnë të tregojnë më të mirën në fushën e lojës.
Ne nuk mund të flasim për tre muajt e fundit në këto momente. Nëse doni të flasim për ndeshjen sot, jam dakord, ndërsa po deshët të flasim për tre muaj, atëherë hajdeni në Shkodër dhe flasim për tre orë në kafe. Unë punoj te Vllaznia dhe sigurisht që të gjithë bëjmë gabime, përfshi edhe mua, por duhet të përballemi me situatat dhe të mbështesim skuadrën, pasi nuk mund të shohim gjithçka zi.
Në pjesën e parë arbitri bëri mirë, por dha disa faulle më shumë në favor të Tiranës. Nuk kam ndonjë pakënaqësi të veçantë ndaj arbitrit, por ndaj vetes tonë, pasi vetëm ne mund ta ndryshojmë situatën”, u shpreh Brdariç.