Një “sqarim” i pakuptimtë, madje në kufinjtë e idiotësisë së panevojshme i AMA- s, më ktheu pas në kohë disa vite. Për të shkruajtur disa rreshta për një person që nga sot nuk jeton më por me një kontribut jo të parëndësishëm për mediat audio- vizive në Veriun e Shqipërisë.
“Kastroja”, siç e njihnin gazetarë e kameramanë jo vetëm në Lezhë e Shkodër por edhe më gjërë, hyri në tregun mediatik me MPlus TV para më shumë se 10 vitesh. E nisi me modesti por me ambicie jo të vogla, nga një pallat diku në lezhë. Në atë që në atë kohë quhej edhe me humor, “televizion në dy dhoma e një kuzhinë”. Zgjodhi pikërisht Lezhën për ti dhënë jetë ëndrrës së tij për një televizion, duke i vënë shqiponjës audiovizive në këtë rajon edhe “kokën” e dytë, pas Lezha TV.
Ata që e kanë njohur nga afër Kastriot Reçin, e dinë jo vetëm pasionin për Mirditën dhe median audio-vizive, por edhe ambicjen e tij për të ecur përpara. Duke njohur realitetin e zhvilluar mediatik të Shkodrës, Kastroja iu drejtua pikërisht asaj. Jo vetëm për të shpërndarë sinjalin e MPlus-it të tij nga Taraboshi, por për të bindur edhe gazetarë, operatorë, montazhierë që ti bashkohen realizimit të ëndrrës së tij.
Sot mbase mund ta mohojnë, por shumë kolegë u ulën me të tryezë dhe morën oferta pune edhe më të mira nga ato që ofronte tregu i televizioneve në Shkodër. U ideuan dhe u thurën edhe shumë projekte, të cilat për një arsye apo tjetër, me informacionin që unë kam të paktën, nuk u realizuan.
Nga pallati në Lezhë, shumë shpejt MPlus TV do të zhvendosej, për të kaluar në dy kate të një ndërtese në autostradën Lezhë- Tiranë, fiks tek rotondoja kur del nga qyteti, në krahun e majtë. Aty Katroja mundi të realizojë diçka nga ëndrra e tij, me ambjente të reja, më të bollshme dhe duke u përpjekur të vendosë starndarte profesionale të larta për Veriun, edhe për cilësinë e transmetimit. Aq shumë u lidh Kastroja me MPlus TV, sa filloi të mësojë edhe “zanatin” e teknikut, kameramanit madje edhe të gazetarit. Jo rradhë, në mungesë të kameramanëve bënte punën e tyre në studio, të teknikëve në transmetim apo edhe të mjeshtrave që shpesh duhej të vinin nga Tirana apo shkodra për ndonjë defekt.
Në studiot e MPlus TV në vite, kanë qenë të gjithë. Po, po, të gjithë. Nga kryeministra e ish të tillë, presidentë e ish- të tillë, ministra, deputetë, kandidatë e kryetarë bashkishë. Kastroja ia doli ta kthejë median e tij në pikë referimi jo vetëm për qarkun e Lezhës, por edhe më gjërë.
E sot, Autoriteti i Mediave Audiovozive, në mënyrë të pandershme, e paraqet Kastron thjeshtë si një ish- aksioner. Në fakt, përveç MPlus TV, ai ndërtoi në Lezhë edhe një televizion kabllor, natyrisht, i licensuar pikërisht nga AMA.
Sot e mohojnë ekzistencën e tij në tregun mediatik, duke u përpjekur ta minimizojnë, thjeshtë si një aksioner. Por banorët e qarkut të Lezhës, gazetarë, kameramanë e punonjës të mediave në Shkodër e në tërë vendin, politikanë nga ata që përmenda më sipër, e dinë mirë se kush ishte pronari i MPlus TV. Ashtu siç e dinë po mirë se cila është arsyeja që Kastroja u detyrua të lërë pas dore deri në mbyllje ëndrrën e tij, deri në momentin kur AMA e famshme i hoqi licencën.
“Tani i Topit” është togfjalësh i madh në realitetin mediatik shqiptar. E gëzonte vetëm një individ, që në pak vite, ia doli të ngjitej në krye. Për Lezhën e Veriun, nëse jeta do të tregohej më bujare me të, Kastroja do ta meritonte edhe togfjalëshin e mësipërm.
Pushofsh në paqe Kastro! Të qoftë i lehtë dheu! /Nga Blerti DELIJA/