
Problemi i drogës shqiptare duket se nuk është shuar në vendet Evropiane. Këtë problem e vëren revista Gjermane “Stern”, e cila në numrin e fundit ka si kopertinë kryetitull “Kartelet shqiptare pushtojnë tregun e drogës në Gjermani”.
Kjo revistë në shpërndarjen që i ka bërë kopertinës në rrjetin social Facebook shkruan se kanë gjetur gjurmë të reja të drogës dhe se hetuesit janë shumë të vëmendshëm.
Ndërsa në brendësi kjo revistë i ka kushtuar një reportazh prej më shumë se 10 faqesh, historisë së grupeve të narko-trafikut të viteve të fundit.
Revista nënvizon se kartelet shqiptare të drogës zotërojnë të gjitha rrugët e trafikut përmes Italisë e vendeve të Ballkanit, drejt metropoleve europiane.
Por kohët e fundit, mafia shqiptare po zhvillon një luftë të ashpër për kontrollin e plotë të këtij tregu edhe në Gjermani, vijon me tej revista Stern.
Shkrimi u referohet raporteve të policisë gjermane, ku konstatohet se në qytetet e mëdha si Frankfurti, thuajse në çdo përplasje mes bandave, shqiptarët janë të përfshirë.
Vetëm kanabisi ka numrin më të madh të konsumatorëve rreth 23,5 milionë dhe 9.3 miliardë euro përfitime, në Europë.