Historia e Vllaznisë është shkruar prej shumë e shumë sportistësh të cilët kanë lënë gjurmë në të. Nëse sot flasim për “lojtarë pa gjak”, në fakt na kujtohet një futbollist që “linte shpirtin në fushë”.
Bëhet fjalë për ish- kapitenin e saj të viteve ’90, mbrojtësin Astrit Prençi. U ndalem sot tek ky sportist ngaqë ka ditëlindjen, feston 50 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Astrit Prençi ka lindur me 20 tetor 1971 dhe zgjedh të merret me futboll, me të cilën në fakt do të lidhej ngushtësisht.
Pasi kalon etapat e formimit me ekipet zinxhir, do t’i bashkohej ekipit të parë të Vllaznise në fundin e viteve ’80 duke luajtur me një plejade tëshkelqyer futbollistësh.
Duke qenë pjesë e këtij brezi sportistësh, ai do te shpallej kampion i vendit në sezonin 1991-92. Më pas, do te shndërrohej në protagonist të padiskutueshëm i këtij ekipi, teksa do të mbante edhe shiritin e kapitenit të Vllaznisë.
Do të shpallej kampion me të edhe në sezonin 1997-98 duke qenë kësisoj një nga emrat më të shquar të këtij ekipi.
Pas lënies së futbollit, ka nisur karrierën si trajner duke lënë edhe këtu gjurmë sepse është një nga trajnerët më të spikatur të moshave në Shkodër dhe jo vetëm sa i takon sukseseve të arritura, por sepse nga duart e tij kanë dalë shumë futbollistë që kanë bërë emër në futbollin shqiptar dhe jo vetëm.
Sot ai është trajner i ekipit U-15 të Vllaznisë dhe njëkohësisht edhe i Kombëtares Rajonale të kësaj moshave. /Nga Gjergj KOLA/