
Rreth një javë më parë Lulzim Basha udhëzoi fillimin e procesit të zgjedhjeve në Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Nisma u konsiderua e paligjshme dhe ndërhyrje në organizimin e organizatës partnere të PD- së dhe shkelje e statutit.
Madje, kryesia e FRPD- së u pozicionua publikisht pas një mbledhjeje urgjente. Udhëzimi i Bashës u cilësua si hakmarrje për kryesinë e FRPD- së dhe vetë kryetarit Belind Këlliçi, të cilët jo vetëm bështetën “Foltoren” por edhe paralajmëruan pjesëmarrjen në “Foltoren e Rinisë” të organizuar të dielën e kaluar nga Berisha.
Ndërkohë, para pak minutave, Këlliçi njoftoi në “Opinion” se ka dhënë dorëheqjen. Ai ka thënë se vendimi i tij nuk ka lidhje me udhëzimin e Bashës por me fillimin e procesit të zgjedhjeve të pritshme në FRPD.
P0 ashtu, ai ka bërë me dije se do të vazhdojë të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e reja teksa ka kujtuar se është zgjedhur nga rreth 11.800 të rinj me parimin “një antar, një votë”.
“Para pak orësh kam njoftuar dorëheqjen. Në mënyrë protokollare jam në detyrë deri në Kuvendin e radhës të Forumit Rinor. Jam votuar në procesin më të rregullt pas 30 vitesh në PD, një anëtar një votë, më ka votuar anëtarësia e PD”, u shpreh Këlliçi.




