Gjykata e Posaçme GJKKO, ka pranuar sot gjykim të shkurtuar për ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçin dhe 2 vartësit e tij, konfirmonjmë burime pranë kësaj gjykate.
Gëllçi u arrestua në tetor të vitit të kaluar, bashkë me tre punonjës të tjerë të Radio Televizionit Shqiptar, me urdhër të SPAK, e cila regjistroi një procedim penal për veprën “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë apo ankande publike”.
Tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave që u arrestuan bashkë me Gëllçin janë: Ervin Muraj, Alban Malaveci, Julian Tapia.
Nga hetimet, sipas orgnit të akuzës, ka rezultuar se “Thoma Gëllçi ka kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me fond limit 86. 908 550,00 lekë, zhvilluar në datën 9 nëntor të vitit 2018”. Mësohet se Policia e Shtetit kishte referuar materialet në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda që prej vitit 2019, ndërsa janë dashur 18 muaj hetime për finalizimin e këtij procedimi.