
Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci: Me kënaqësi të veçantë prita në zyrë Imzot Angelo Massafra së bashku me Arqipeshkëvin e ri të Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Giovanni Peragine.
Gjatë bisedës vlerësova kontributin e çmuar që Imzot Massafra ka dhënë ndër vite, duke e bërë atë një figurë të shquar në Shkodër. Mesazhet e tij, urtësia dhe përkushtimi për harmoninë ndërfetare në qytet, janë shembuj frymëzues dhe jam i bindur se do të vijojnë edhe nën drejtimin e Imzot Giovanni Peragine.
Diskutuam gjithashtu projektet që synojnë kthimin e Shkodrës në rrënjët e saj historike, duke përfshirë zonën përreth Kalasë së Shkodrës, Kishës së Zojës dhe Xhamisë së Plumbit, si një pjesë unike dhe e veçantë për hyrjen e qytetit. Një falënderim i përzemërt për Imzot Massafrën. Dera e Bashkisë Shkodër do të jetë gjithmonë e hapur për të.