KALENDARI/ Festivali “Ekrani i Artit” për herë të tretë në Shkodër nga “Art House”, ja ku mund të takoheni…

“Art House” organizon për të tretin vit rradhazi festivalin “Ekrani i Artit” ku do bashkëjetojnë filmi dokumentar mbi artin me atë eksperimental dhe videoartin. I nisur si një përzgjedhje filmash nga festivali fiorentin “Lo schermo dell’arte”, këtë vit do bëjë bashkë një përzgjedhje filmash nga “International Short Film Festival Oberhausen”, “Lo schermo dell’arte”, koleksioni i videos dhe filmit të Van Abbemuseum, një përzgjedhje nga videoarti shqiptar i viteve të fundit, një grup filmash të shkurtër nga regjizorja gjermane Sylvia Schedelbauer si dhe një film me metrazh të gjatë nga artisti shqiptar Pleurad Xhafa. Një risi tjetër do të jetë shpërndarja e projeksioneve në oborret e shtëpive shkodrane ku do të gërshetohet hapësira private dhe publike, atmosfera tradicionale dhe ajo bashkëkohore.

Teatri “Migjeni” do të mirëpresë ceremoninë e hapjes shoqëruar me përzgjedhjen e parë filmike e në vijim projeksionet do të vazhdojnë në hapësirat e “Art House”, oborri i shtëpisë së Pashko Vasës, i shtëpisë së Llazanve dhe asaj të Kolë Idromenos, ku është hapur e para kinema shqiptare në fillim të shekullit XX.

Programi filmik do të shoqërohet me momente muzikore në ambientet e Qendrës Rinore “Arka” ku i ftuar i veçantë është Kolë Laca me projektin e tij “Shkodra Elektronike”.

Loading...