“Ka ardhur momenti që sigurimi i pronës të bëhet i detyrueshëm”, flet Kadri Morina, president i Grupit Eurosig- Insig & UBA Bank

Nga Kadri MORINA
President i Grupit Eurosig- Insig & UBA Bank

Koha bën të veten dhe ka ardhur momenti që njerëzit të mendojnë për të ardhmen e tyre. Tërmeti i djeshëm përkon me atë të dy viteve më parë, çka tregon se Shqipëria vazhdon të jetë një zonë sizmike me rrezikshmëri të lartë. E njëjta ndodhi edhe me ngjarjet e zjarreve këtë vit, të cilat ishin të pazakonshme. Nga thatësirat e mëdha, nesër mund të jemi të rrezikuar edhe nga përmbytjet, që uroj të mos ndodhin.


Me gjithë këto fatkeqësi ndërgjegjësimi i popullatës është në nivelin minimal për të siguruar pronën e tyre, çka do të thotë se nuk janë të ndërgjegjësuar dhe as ndikuar që të bëjnë sigurimin e pronës së tyre. Kjo nuk është një kërkesë e kompanive të sigurimit, por është një thirrje për ndërgjegjësimin e popullit tonë. Ka ardhur momenti që qeveria e re së bashku me opozitën duhet të përgatisin sa më parë një ligj për sigurimin e pronës. Kështu qytetari nuk është më në duar të fatit apo të qeverisë, por kompensohet menjëherë për dëmet e shkaktuara nga kompanitë e sigurimeve.

Kompanitë e sigurimeve e vërtetuan në tërmetet e 2019 që ishin mjaft të konsoliduara në trajtimin dhe kompensimin e dëmeve, së bashku me kompanitë ndërkombëtare partnere të risigurimit, të cilat në 2 tërmetet e kaluara kanë paguar 40 milionë euro për dëmet e shkaktuara. Këto ishin sigurime të bëra nga kredimarrrësit nëpër banka dhe nuk kishte asnjë sigurim që ishte bërë vullnetarisht nga ndonjë klient.

Jam i bindur se ka ardhur momenti që sigurimi i pronës të bëhet i detyrueshëm. Primi i sigurimit të pronës u kushton shumë pak qytetarëve, duke nisur nga 25 euro. Nëse një qytetar ka një apartament që vlen 100,000 euro, ai do të paguajë vetëm 50 euro në vit, duke u dëmshpërblyer nga zjarri, tërmeti dhe përmbytja deri në shumën 100,000 euro. Ky sigurim mbulon edhe pajisjet brenda shtëpisë, të cilat mund të dëmtohen nga fatkeqësitë. Kjo nuk mund të konsiderohet taksë, pasi është një shërbim dhe siguri për klientin.

I bëj apel qeverisë që në një kohë sa më të shkurtër të përgatisë bazën ligjore për sigurimin e detyrueshëm të pronave. Në të vërtetë sa herë ndodh një fatkeqësi edhe kompanitë e sigurimit edhe instancat shtetërore sensibilizohen dhe qeveria është në përgatitjen e një projektligji në 2 vitet e fundit. Për shkak të disa faktorëve kjo ende nuk është konkretizuar.

Kompanitë e sigurimit kanë hyrë në negociata me qeverinë, AMF-në dhe Bankën Botërore, por akoma nuk kemi bërë diçka konkrete. Ne nuk duhet të presim të bjerë sërish një tërmet që të kujtohemi për ta finalizuar, por duhet një orë e më pare. Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje edhe qytetarëve të sigurohen për veten e tyre. Ky është një standard që e kërkon edhe Europa, ku qytetari nuk del në rrugë pa u siguruar