
Ishte jo surprizë e vogël emërimi i Enea Karakaçit si zëvendësues i Belinda Ballaukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës nga kryeministri Rama. 40- vjeçari shkodran, djali i Ridvan Karakaçit, mësues muzike, kompozitor, vinte nga brenda kësaj ministrie dhe nga shumë drejtime, prezantohej si një ndër më të besuarit e të afërtit e Ballukut.
Përpara se të përfundonte Juridikun në Tiranë, shokët e rrugëtimit të tij në arsmimin në Shkodër, flasim me respekt, duke e konsideruar, siç thuhej dikur, “nxënës shumë të mirë”. Ndryshe nga shumë bij të tjerë, që ndoqën rrugën e pararadhësit në jetë, Enea nuk iu përkushtua artit apo muzikës, nën shembullin e babait të tij.
Të shtunën, në Asamblenë Kombëtare, Enea Karakaçi mori edhe një tjetër ngarkesë, aspak të lehtë, këtë herë jo si teknicien: Drejtues politik i Qarkut të Shkodrës për PS- në. Sidomos vitet e fundit, ky pozicion ka një peshë mjaft të lartë specifike, aq më shumë kur PS është në qeverisje qoftë në nivel qendror, ashtu edhe atë vendor nga 2023. Në fakt, kjo mbase është surprizë edhe më e madhe se emërimi i tij ministër.
Në jo pak raste, kryeministri Rama ka preferuar që drejtues politikë të qarqeve, të vendosë ministra të kabinetit të tij. Edhe në këtë rast, skema duket e njëjta por me një ndryshim të vogël që, ministri është i lindur aty ku është caktuar drejtues politik, po aty ka edhe familjen e tij të orgjinës, pavarësisht se për arsye të shkollimit por edhe të punësimit, nuk jeton përditshmërinë e Shkodrës.
Enea Karakaçi, si drejtues politik, duhet të vazhdojë aty ku e la këtë pozicion Benet Beci. Me gjasë, ky i fundit është gëzuar kur ka mësuar heqjen e kësaj barre, e cila padyshim, i shtoi një ngarkesë jo të vogël përveç asaj të kryebashkiakut të Shkodrës. E këtu, nis edhe sfida e Enea Karakaçit.
Edhe ndryshimet më të fundit në qeveri por edhe të tjerat nga 2013- a, kanë treguar se asociimi i portofolit të ministrit me atë të drejtuesit politik të qarkut, kanë qenë shkak- pasojë i rritjes apo zvogëlimit në raport me rrugëtimin politik, profesional apo ministror. Sot mund të konsiderohet “gur prove” për ministrin- drejtues politik Eenea Karakaçi dhe me gjasë, për të parë rezultate, Rama nuk do të presë zgjedhjet vendore të 2027- ës.
Ata që e njohin nga afër, e dinë dhe e pohojnë se Rama nuk para pyet shumë të interesuarin kur cakton detyra, qoftë administrative, qoftë politike. Sigurisht, e njëjta linjë është edhe në rastin e Enea Karakaçit, qoftë si ministër, ashtu edhe si drejtues politik. Nëse në rastin e parë, mund të ketë ndikuar edhe ndokush/disa të tjerë për ta bërë pjesë të kabinetit, në rastin e dytë të emërimit si drejtues politik, pozicioni i ministrit e ka nxitur ta vërë në provë Karakaçin.
Në analizën e Asamblesë Kombëtare, bashkë me Tiranën, Lezhën e Kukësin, qarku Shkodër konsiderohej jo në nivelin e duhur të mbështetjes për PS- në. Pavarësisht se vlerësohej trajektorja rritëse, kryeministri Rama ishte i pakënaqur. Shkurt, Enea Karakaçi ka ardhur me “mision” për të realizuar “përmbysjen”, që PS të jetë forcë e parë në bashkitë e qarkut Shkodër, aq sa do të ngelen pas reformës administrative- territoriale në proces.
Përveç ngarkesës aspak të lehtë të ministrit, Enea Karakaçi duhet të marrë edhe barrën e rëndë të përmbysjes së madhe politike në Shkodër, në favor të PS- së. Në ndarjen aktuale administrative, janë tre bashki Puka, Fushë- Arrëzi dhe Vau- Dejësi, ku duhet një përmbysje e plotë, bazuar në shifra elektorale. Ky është testi dhe indiciet apo “shenjat”, duhet të konstatohen nga kryeministri Rama shumë para caktimit të datës së zgjedhjeve vendore të 2027- ës. /Sokol N. SOKOLI/




