Me sa duket fillimi i përballjes me kriminelët dhe sidomos strukturën e tyre mbështetëse ekonomike, por dhe arrogancën po shton në publik besimin se “loja sapo ka nisur”! Elbasani është bërë momenti i parë i punës kryesore të ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të policisë për të filluar, jo një operacion, por një sistem të ri pune në polici! Ka 27 vite që shteti shqiptar i përkëdhel (përjashto mbas ’97-tës) të fortët, kontrabandistët, trafikantët që bëjnë tashmë prej kohësh – biznesmenin, të pasurin dhe për më tepër, të përkrahurin dhe nga segmentet e shtetit dhe politikës, për të mos thënë pastaj dhe vetë policisë! Nuk është e lehtë sigurisht, por nuk mund të ketë rrugë kthimi për këtë model të ri të luftës së hapur, pa kompromis dhe sidomos të ashpër kundra tyre! Arroganca e kriminelëve, trafikantëve, kontrabandistëve dhe kanabistëve në Shqipëri, është padyshim më e madhja në Ballkan! Sigurisht duke qenë dhe më të pashkolluar dhe origjinar të prapambetjes kulturore. Sikundër janë bërë të pasur dhe të “lirë” por dhe arrogantë në qytetet shqiptare pikërisht ky lloj krimineli me “jetë të mirë” dhe haptas – nuk ndodh as në Maqedoni, as Mal të Zi, as Serbi dhe biles as në Prishtinë – Kosovë! Pse e gjithë kjo arrogancë?! Sepse politika është pasuruar, duke lejuar dhe një dorë të madhe maskarenjsh të krimit, t’i vijnë rrotull, ta përkrahin dhe ta mbështesin. Jo një parti, jo, biles as një krah – por në 360 gradë të klasës politike shqiptare! Sigurisht që ka faj ajo, por ajo (politika) është e zgjedhura e popullit e mirë apo e keqe. Kurse kriminelët e pajtuar, lejuar dhe frymëzuar, por dhe pasuruar prej saj – nuk janë një zgjedhje e popullit! Modeli i opozitës me fjalë të ashpra është shoqëruar me fjalët po të mëdha, kur kanë filluar arrestimet dhe për më tepër politika ka lejuar dhe sponsorizuar drejtësinë apo gjyqësorin të “falë, lehtësojë dhe lirojë” dhe kur arrogantët e batakçinjtë e krimit, vazhdonin krimin dhe pisllëkun e madh në sy të publikut.
Nuk ka tashmë asnjë kuptim që operacioneve të tilla t’ju bëhen “fjalë në media sidomos nga opozita” dhe po ashtu nga segmente të vetë medias! Demokracia është po aq “ashpër” sa diktatura, por në bazë të ligjit dhe nëqoftëse ligji zbatohet – ajo është akoma dhe më e ashpër në raport me modelin që mbron, i cili është modeli i mbrojtjes së rendit dhe qetësisë së qytetarëve e padyshim sigurisë së tyre! Individë dhe grupet e tilla arrogante dhe kriminale – janë kundra lirisë së njerëzve dhe qytetarëve! Ata vrasin dhe vjedhin dhe pastaj organizojnë “gjyqësorin e tyre, prokurorinë e tyre dhe pastaj dhe politikën e tyre”. Kësaj gjëje – i duhet bërë ballë, sepse kjo është vështirësia në fakt. Por tashmë Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, ka një ministër dhe një Drejtori Policie apo dhe kuadro të lartë dhe të ulët, që kanë mbështetjen e njerëzve, politikës së jashtme – ndërkombëtare dhe me fjalë edhe asaj të brendshme. Aksioni i Elbasanit është fillimi i mirë dhe krahas arrestimeve të dyshuarve, duhen dhe krimi financiar ekonomik që ka ngritur miliona e miliona asete, të cilat përbëjnë pasuri të mëdha të vendosura me vjedhje, kontrabandë dhe vrasje pa përjashtuar drogën dhe trafikun! Politika dhe politikanët në të vërtetë tashmë kanë kohën e mbështetjes së luftës dhe këtu do të kuptohet qartë se kush është pro dhe kush kundër, në këtë sistem të ri që akoma e quajnë aksion policor!
Si Elbasani është dhe Durrësi, Shkodra, Vlora dhe ka plot nëpër Shqipëri përfshi dhe Tiranën! Në periferi dhe qytetet e saj, ecin lirshëm dhe pse janë të skeduar, rrisin pasuritë dhe ndërtojnë dhe pa leje dhe askush nuk ju thotë gjë kriminelëve! Nuk bëhet fjalë për makinat e tyre të cilat janë figura e parë e krimit- që dallohet dhe pastaj ju vijnë resortet, restorantet, hotelet, por dhe ndërtimet e magazina të ndërtuara me qëllime nga më të ekzagjeruara të mendjes perverse. Goditja e tillë sidomos në pasuri deri te miqtë e të afërmit e shumtë – e bën sistemin e ri të luftës ndaj krimit një mrekulli demokracie?!
E fundit është mos lejimi i dy mundësive për kriminelët! Mundësia e parë është arrestimi dhe nxjerrja përpara drejtësisë dhe e dyta – largimi?! Pikërisht kjo e dyta nuk duhet lejuar?! Nëqoftëse Partia Demokratike e ka seriozisht idenë e luftës kundër krimit dhe kriminelëve – ky është momenti që jo vetëm të akuzojë dhe të bëjë “pozitën kriminele si kriminelët”, por të mbështesë këtë luftë. Do ishte mirë në mos do të ishte akoma më mirë, të ishte një bashkëpunim dhe marrëveshje për t’u kryer kjo gjë! Do të shpresoja të ishte një marrëveshje – por akoma nuk binden shumë njerëz që mund të ketë marrëveshje të tilla, për sisteme që kanë rëndësi publike. Që me nisjen e operacionit në Elbasan – kanë filluar të rrinë urtë dhe në disa kryeqendra urbane nëpër Shqipëri. Po po, kanë mbyllur disa dhe “ndërmarrjet e tyre” dhe nuk frekuentojnë më disa vende të rëndësishme ekskluzive për to, në qendrat e qyteteve! Nuk janë “trima” me shtetin jo, por kanë qenë arrogantë kur shteti dhe drejtësia ishin pothuaj të tyre në përdorim dhe nëqoftëse nuk ishin të tyre – nuk ishin të zot apo armiq të vërtetë!
Operacioni i Elbasanit thonë se është fillimi – por tashmë duhet larguar termi operacion me kuptimin politik të tij?! Policia vërtetë ndërmerr operacione, por Ministria ka sistem të tillë pune dhe unë këtë gjë konsideroj vërtetë një fitore të madhe politike të kësaj mazhorance nëqoftëse sigurisht vazhdon kështu.
Janë të skeduar pothuaj të gjithë. Por dhe pasuritë ju dihen. Ju dihen dhe bashkëpunëtorët. Mjafton të fillojë sistemi i luftës pa kompromis me krimin dhe kriminelët. Kanë euro nëpër duar dhe nëpër investimet e tyre, por kanë dhe trimëri në saj të financave që disponojnë, në saj të krimit që kryejnë. Kur “operacionet” dhe sistemi i heq mundësinë e financave – këto farë trimash përfundojnë në vetmi dhe idiotë që ju merret goja! Ky sistem do të largojë dhe horrat që kanë depërtuar në politikë. Sepse, horrat e krimit në politikë – prej horrave poshtë si model dhe arrogantë që janë, mbështetet. Në këto kushte – lufta e përditshme dhe arrestimet masive, sipas ligjeve do të bëjnë dhe punën e tyre, duke ngritur jo vetëm besimin në publik, por dhe kthyer qetësinë e munguar nga arroganca e tyre. Nuk duhet lejuar dhe mundësia e dytë – ose ajo e largimit nga Shqipëria. Ato kanë një burg të ri që është ngritur në veri të Shqipërisë dhe asgjë të keqe nuk ka, që shumë syresh të përfundojnë aty. Po po, asnjë të keqe, përkundrazi!