Ngjarja e rëndë e 10-vjeçarit Nasir Ymeri, i cili humbi jetën aksidentalisht teksa po bënte një video në rrjetin social ‘Tik Tok’ ka tronditur mbarë opinionin në Shkodër, por në mënyrë të veçante stafin e shkollës ‘At Gjon Karma’ në Gurin e Zi.
Mësuesja kujdestare Roberta Naraci ka treguar për mediat se Nasiri nuk kishte shfaqur problem, por ishte një fëmijë lider në klasë.
Në bankën ku ulej 10 vjeçari, tashmë është vendosur një tufë me lule të bardha, dhe mësuesja e emocionuar thotë se ajo e ka pasur nxënës që nga klasa e parë, ndërkohë që shton se ai kishte një sjellje shumë të mirë, duke nënvizuar se në shkollë është theksuar dhe folur për anët negative të rrjeteve sociale.
Ajo thotë se ka komunikuar më familjarë të largët të fëmijës dhe ato janë të idesë se tentativa për të bërë një video në rrjetin social Tik-Tok ka çuar në vdekjen tragjike të 10 vjeçarit.
“Sot është shumë e vështirë për mua të flas për këtë ngjarje kaq të rëndë që ka ndodhur një nxënësi të klasës tonë. Nasiri ka qenë nxënësi im që nga klasa e parë. Ishte shumë tronditëse atëherë kur morëm lajmin, mund ta përshkruaj si një nxënës shumë të mirë me arritje të mira me tipare të një lideri, një fëmijë shumë i shkathët, që rrezatonte mirësi dhe gëzonte gjithë respektin e shokëve dhe mësuesve.
Kemi pasur një marrëdhënie miqësore me prindërit e tij, ato i janë përgjigjur gjithmonë kërkesave tona. Nuk kam fjalë që ta përshkuar rastin. Sjellja e tij ka qenë shumë e mirë asnjëherë nuk ka shfaqur probleme. Për sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale, ne theksojmë pafund negativitetit ose anët negative që kanë përdorimi i rrjeteve sociale. Unë i këshilloj që të jenë nën kujdesin e prindërve nëse i përdorim, i këshilloj të mos hapin faqet që nuk janë të rëndësishme për to.
Kam arritur të komunikoj me familjarë të largët pak a shumë këtë ide kanë edhe ato por nuk janë të qartë. Kontrolli i prindërve nuk duhet të mungojë për asnjë arsye. Të them të drejtën jemi të gjithë të tronditur’ tha mësuesja kujdestare.”