Kryeministri Edi Rama tha sot se një parti politike nuk mund të vendosë “vija të kuqe”, e sidomos për çështje si Teatri që janë kompetencë ekskluzive e qeverisë. Duke komentuar paralajmërimin e kreut të opozitës, Lulzim Basha që shembja e teatrit ishte kalimi i vijës së kuqe, Rama tha në një lidhje me News24:
“Alternativa që, unë do fitoj zgjedhjet e do ta rindërtoj sic ishte, është e pranueshme. Ta paraqesi para popullit, të marri votat, nëse i merr ta mbajë fjalën sic e ka mbajtur zakonisht fjalën kur ka qenë në drejtim, kjo është normale. Tani kemi opsionin ta rindërtojmë sic ishte, kjo është puna e tyre.
Sa për ngjyrën e vijave, meqë e kam dhe zanat të vërtetë e të përhershëm këto të kuqet e blutë e të verdhat janë si bojërat e fëmijëve që uji i parë i merr me vete. Nuk vendos dot një parti politike “vija të kuqe” për kompetenca ekskluzive që i jep kushtetuta qeverisë qëndrore, vendore apo dhe parlamenti.
‘Vija të kuqe’ mund të vendosin për reforma, kur dhe partitë kanë pjesëmarrjen e të drejtën e tyre por që të vënë ‘vija të kuqe’ që çfarë duhet të bëjë e s’duhet të bëjë, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ndaj duhet menduar mirë kur vihen vijat e kur i vihen ngjyrat se i merr uji i parë pastaj”.