Kreu i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, i cili e akuzoi se është zgjedhur nga bandat kriminale.
Përmes një reagimi publik kryepolici i Shkodrës sqaron se të gjitha akuzat e bëra nga deputeti demokrat janë shpifje, të pabazuara. Sulaj thotë se përmes këtyre shpifjeve dëshirojnë që të cënojnë figurën e tij në prag të procesit të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit. Sulaj thotë se emërimi i tij është bërë në tetor të vitit 2023, pra vite më vonë nga mbyllja e serverave të SKY ECC.
“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.
Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi”, shkruhet në reagimin e Sulajt, teksa më tej paralajmëron se këtë çështje do e ndjekë në rrugë ligjore.
“Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”, thekson kreypolici i Shkodrës.
Kujtojmë se kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi publikoi një komunikim në SKY ECC, që sipas demokratit tregon se kreu i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj është zgjedhur nga bandat kriminale.
“Unë po të pyes: Si ta quajnë drejtori ne Policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën. Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla”, kështu u shpreh këtë të enjte Bardhi.
Por, Sulaj u vu në krye të Policisë së Shkodrës më 11 tetor 2023, dy vite pasi aplikacioni famëkeq “SKY ECC” ishte zbërthyer dhe mbi 16 mijë shqiptarë dolën përdorues të këtij rrjeti social. Kujtojmë se pas ndërhyrjes së FBI-së e cila ndihmoi në zbërthimin e “SKY ECC”, shumë kriminelë përfunduan pas hekurave dhe pas një operacioni të Europol aplikacioni u mbyll përfundimisht në vitin 2021.