“Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit”. Deklarata është e kryeministrit të Shqipërisë, i cili ka kapërcyer vitin e pestë në qeverisje të vendit. Komenti në rrjete sociale vjen pas skandalit që u konsumua në Bularat, tokë brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë.
Jam ndër personat që publikisht kam vlerësuar qëndrimet e Edi Ramës si kryeministër, kur në Beograd gjente guximin ti përmendte Kosovën ish- homolugut të tij Vuçiç, sot president i Serbisë. Mendohej se, pavarësisht se i majtë, kryeministri i vendit të tregonte sado pak dinjitet lidhur me çështje sensitive me interes kombëtar. Por mesa duket, unë dhe shumë si unë, jemi gabuar.
Rama ka guxim “t’i nxjerrë dhëmbët” Serbisë, madje më shumë se një herë. Por kjo nuk ndodh dot me Greqinë. Grekët shpallën dje Bularatin dhe jo vetëm si “Vorio Epir”. Politikanë shqiptarë ë paguhen nga lekët tona, u vunë në krah të homologëve grek dhe për çfarë…për një kriminel të rëndomtë, në varrimin e të cilit logjikisht nuk duhej të merrnin pjesë as familjarët.
Fjala “përdhos” që është përdorur dendur për të evidentuar ngjarjen e rëndë të Bularatit, nuk e përmbledh plotësisht atë që ndodhi. Reagimi anemik i strukturave të shtetit u kurorëzua me ndalimin dhe më pas lirimin pas rreth 8 orëve të 12 ekstremistëve grek nga policia shqiptare. Kaq. Asgjë më shumë se kaq. Nuk reagoi në rrugë zyrtare kryeministria, madje as ministria e jashtme me të paktën një notë për ambasadorin e Greqisë në Tiranë.
Deklarata e vetme jo zyrtare por në rrjete sociale vjen nga kryeministri, i cili pak e shumë, si një fëmijë i llastuar thotë “Jam- jam i mirë, s’jam- s’jam jam i mirë, jam për veten time…”. Kryeministri Rama ndjehet thuajse i ekzaltuar që po shahet si nga ata që e rivotuan si timonier i vetëm në 2017- ën, ashtu edhe nga ata përtej kufirit në Greqi. Në fakt, për një shtetar normal, kënaqësia do të perceptohej ndryshe në politikë: të shahej nga grekët dhe të vlerësohej nga shqiptarët.
Ndërsa në raport me Serbinë kryeministri mund të ndjehet edhe superior, me Greqinë qartazi shfaqet inferior. Jo vetëm marrëveshja për ujrat territoriale por edhe rasti “Bularati” e tregoi qartë. Sjellja e kryeministrit është e padenjë edhe sikur të ishte minoritar helen. Ai nuk guxon të dalë në foltoren e tij në kryeministrisë dhe të flasë. Të thojë çfarë të dojë, por të flasë zyrtarisht dhe jo përmes rrjeteve sociale.
Grekët kanë tashmë varrezat e ushtarëve të tyre në vendin tonë. Të vrarë si pushtues, ata prehen në tokën që edhe dje e përdhosën grekët e gjallë. Nga nëntoka, shovinizmi helen doli në sipërfaqe me qindra flamuj, thirrje vorioepirotase, intevista në greqisht të politikanëve tanë për mediat shqiptare. Çfarë ka mbetur tjetër? Të kërkohet zyrtarisht nga Greqia kalimi i “Vorio Epirit” në administrim dyfish greko- shqiptar. Nuk do të jetë e largët dita kur edhe kjo do të ndodhë, me këtë apo një tjetër kryeministër. Sepse Greqia na tund para syve veton për integrimin në Europë apo na kujton “fshesën greke”.
Edi Rama përjeton thjesht si një gjë të vetën edhe përdhosjen e Bularatit. E sipas gjasave, nuk i bën përshtypje. Rëndësi ka që ai të vazhdojë të jetë kryeministër, të bëjë terbiet shtetasit e tij por se vijnë disa dhjetra grekë dhe i bëjnë një mut të madh në shtetin që drejton, nuk është problem. Sepse Shqipërinë e konsideron si një kopësht privat dhe jashtëqitja i shërben për të rritur prodhimtarinë. Quhet shtet, principatë, çiflig për të nuk ka rëndësi! Për nacionalizëm as që mund të flitet. Tani po fashit edhe krenarinë kombëtare. E rëndësishme është të jetë i parë ai. E ka zgjedhur prej kohësh, më mirëi pari i katundit se i fundit në qytet! Shqipëria është “anija” e tij dhe Rama “timonieri” i vetëm! /Nga Blerti DELIJA/