“Ja pse e ndoqa Kukësin dhe ku synoj të filloj punë”, rrëfehet Mirsad Jonuz: Vllaznia jo si në kohën time…

Mirsad Jonuz, ish-trajneri i Vllaznisë në sezonin 2019-2020, duket se një pjesë të zemrës së tij e ka ende te skuadra shkodrane. Trajneri maqedonas që punoi me kuqeblutë në një periudhë aspak të qetë, ka ndjekur fundjavën e shkuar Vllazninë në përballjen ndaj Skënderbeut në transfertë.

Por, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Jonuz ka pohuar se ka ndjekur nga afër edhe ndeshjen Kukësi-Teuta në “Elbasan Arena”. Pikërisht pas këtij takimi trajneri italian i verilindorëve dha sinjale largimi. Jonuz është përfolur edhe më parë si kandidat për pankinën e Kukësit, por edhe kësaj dileme trajneri nga Maqedonia e Veriut i jep një përgjigje.


Ish-trajneri tregon përparimet e Vllaznisë, mundësitë, si dhe diferencat e dukshme që janë me periudhën e tij kur ishte në krye të kuqebluve.

Keni ndjekur nga afër Vllazninë ndaj Skënderbeut. Me çfarë misioni ishit aty?

Shfrytëzova rastin për të ndjekur të dyja takimet, si atë në Korçë mes Skënderbeut e Vllaznisë, po ashtu vizitova Elbasanin ku ndoqa nga afër takimin Kukësi-Teuta.

Si ju duket Vllaznia dhe çfarë përshtypjesh ju la?

Fillimi është jo i keq, por jo pasionant siç mund të pritej. Ka lojtarë të mirë. Vllaznia tani është me një pronar të ri dhe ka një ekip kualitativ.

Starti i Vllaznisë a mund të ishte më i mirë?

Vllaznia duhet të ishte edhe më mirë, pasi, siç e thashë, ka lojtarë cilësorë. Gjithsesi, nuk është një fillim i keq. Që nga koha ime dhe tani ndryshimi është i madh te Vllaznia. Atëherë kisha të vështirë të punoja.

Çfarë ju pengonte në atë periudhë?

Ishin disa arsye asokohe, organizative dhe financiare.

E shikoni Vllazninë mes pretendentëve për titull këtë sezon?

Vllaznia ka një ekip cilësor dhe ka një shans për të qenë në rangjet e larta të futbollit shqiptar.

Ku mendoni se Vllaznia mund të kishte bërë një merkato më cilësore?

Afrimet janë të mira, por duhet kohë për prurjet për të luajtur siç duhet në një skuadër. Besoj se ato shumë shpejt do të jenë së bashku për të dhënë frytet e punës.

Besoj se takuat edhe miqtë tuaj nga Shkodra?

Më vjen mirë që pashë disa nga miqtë të mi nga Shkodra. Kam kujtime të bukura aty. Thatë që keni shikuar edhe Kukësin, si ju duk? Sa i përket Kukësit, mendoj se kanë shumë esencë dhe eksperiencë në të tre sektorët e fushës.

U përfol për një kalim tuajin te Kukësi. Mund të na e sqaroni?

Tani për tani nuk ka asgjë konkrete. Kukësi ka një trajner. Sa i përket punës sime, do të shikoj gjithçka që është e mundur. Po flas me një klub në Katar, në Kosovë dhe do të shohim edhe për në Shqipëri.