“Ish-shokët që i pasuroi dhe oligarkët që po ndërtojnë në Dhërmi”, babai i Vis Martinajt tregon kush e do të vdekur djalin e tij…

Prej 26 ditësh zhdukja e Martinaj, vijon të mbetet ende mister, duke ngritur dyshime të forta, përmes një ekzekutimi të mundshëm apo për një skenar tërheqje nga aktiviteti i zakonshëm.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin e “Ora News” Elton Qyno, babai i Ervis Martinaj, tregon se nuk ka shpresa për të gjetur të birin gjallë.


Por njëherësh ai shprehet, se nuk është hapur asnjë mort në banesën e tij, për Ervis Martinaj.

“…ne jemi në një situatë jo të mirë, ndodhemi në momente zie. Shtëpia ime është në mort dhe ka hapur dyert për ngushëllim, pasi unë kam humbur nipin tim Brilantin. Në këtë shtëpi, nuk ka asnjë mort të hapur për djalin, Ervisin, megjithëse shpresat e mia për gjetjen e tij gjallë, tashmë janë shuar plotësisht…” – tregon Mustafai.

Sipas të moshuarit, njerëzit që e kërkonin dhe kanë financuar vrasjen e Ervis Martinaj, janë ish-shokët e tij më të afërt, që ai i ndihmoi dhe i pasuroi me para dhe tashmë të gjithë bashkë ju kthyen kundër.

“…nga Dokle, Reçët, Dukat e grupet në Tiranë dhe grupi i Vlorës, kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme vrasjen tij. Dhe gjatë kësaj kohe, ia vranë të gjithë shokët…”, tha Mustafa Martinaj.

I moshuari, shton se në këtë sulm ndaj Ervis Martinaj dhe familjes së tij, u futën dhe instrumente shtetërorë të qeverisjes dhe oligarkë të njohur, që ndërtojnë vila në tokat e Dhërmiut.

Toka këto që familja Martinaj, sipas 70-vjeçarit i ka të trashëguara nga Alqiviadh dhe Eftalia Nina, por tashmë janë zaptuar nga oligarkët e lidhur me qeverinë.

Hetimet kanë provuar se Martinaj, u zhduk pa asnjë gjurmë në zonën e Shijakut mbrëmjen e 9 gushtit dhe dyshohet shumë se është futur në kurth pikërisht nga njerëzit që ai ka shkuar të takojë në Shijak.