Ish- presidenti Berisha feston 76 vjetorin e lindjes, 30 vitet e fundit figurë me ndikim të jashtëzakonshëm…

Është figura qendrore e 30 viteve të fundit, me një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimet në Shqipërinë e post komunizmit. Sali Berisha feston sot 76 vjetorin e lindjes, i rrethuar nga familjarë, miqe të të njohur. Ka qenë vetë Berisha, që me një postim me pak rreshta në Facebook dhe me një foto me bashkëshorten Lirinë, ka sjellë në vemendje ditëlindjen e vet.


“Miq, sot 76 vjeç! Mirenjohje te pakufishme Zotit, familjes dhe te gjithe atyre qe me dashurine, miqesine, besimin dhe mbeshtetjen kane qene dhe jane eleksiri i udhetimit tim jashte imagjinate 76 vjeçar. Zoti ju bekofte! sb”, shkruan Sali Berisha.

Në fillim të viteve ’90, Berisha ishte në rradhën e parë të intelektualëve që kërkonin ndryshime në këtë vend. Në shkurt të vitit 1991 dhe deri në korrik të 2013- ës, ai ishte lider i pakontestueshëm i Partisë Demokratike.

Në vitin 1992, pas fitores së zgjedhjeve të 22 marsit, ai u zgjodh president i vendit. 5 vite më pas, në prill 1997, ai u rizgjodh por trazirat e atij viti, e detyruan të jepte dorëheqjen. Pak kush e mendonte se Berisha do të vinte sërish në pushtet, pas 8 viteve opozitë.

Në fakt kështu ndodhi. Në zgjedhjet e vitit 2005, PD e drejtuar nga ai, erdhi në pushtet dhe Berisha u zgjodh kryeministër. Në vitin 2009, falë një marrëveshje me LSI- në, Berisha krijoi edhe qeverinë e mandatit të dytë qeverisës, për të qendruar në pushtet deri në vitin 2013.

Mbështet ShkodraWeb Media

Pasi humbi zgjedhjet, Berisha dha dorëheqjen edhe nga drejtimi i PDSH- së, duke i hapur rrugë garës Basha- Olldashi për pasuesin, të cilën e fitoi kryetari aktual i demokratëve. Pavarësisht se nuk është pjesë e strukturave të larta në PD, Berisha konsiderohet lider historik dhe ka ndikim të dukshëm akoma.

Dy herë i votuar si president, po kaq herë si kryeministër, 23 vite lider i partisë së parë opozitare në këtë vend, 30 vitet e fundit Sali Berisha ka qenë figurë kryesore e zhvillimeve politike, sociale, ekonomike në Shqipëri.

Në këtë ditë të 76 vjetorit, ShkodraWeb Media i uron jetë të gjatë e të lumtur ish- presidentit Berisha! /ShkodraWeb Media/

ShkodraWeb Media 2017 – 2020 © TË GJITHA MATERIALET NË KËTË FAQE MUND TË PËRDOREN LIRISHT NGA INDIVIDË E MEDIA, DUKE CITUAR NGA JANË MARRË. FALEMINDERIT!

ShkodraWeb Channel
ShkodraWeb Marketing