Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boci, ka reaguar ditën e sotme pas lajmeve mbi vënien në pranga të të ashtëquajturit “Ujku i Cërrikut”. Ai ka prezantuar personin me epitetin “e rrezikshëm”, ku përveç fotos i bën edhe një “biografi” të shkurtër. Sipas Boçit, personi që është shfaqur me bujë nga mediat, në realitet është krejt ndryshe nga sa prezantohet.
Përmes një postimi të bërë në faqen e tij në Facebook, Boci shkruan se: ”Ujku” që njihet në Cërrik për pozitivitetin e tij, për humorin që prodhon, por dhe për varfërinë që e shoqëron, nga dje është shpallur “kriminel”.
Ndërsa sipas tij Çakalli, i shquar për grabitjet spektakolare të publikut, për bashkëpunim me krimin, për hajdutëri gjigande me miliarda, dje është duartrokitur nga njerëz-karrike.
Postimi i plotë i Luciano Bocit
“UJKU” I CËRRIKUT DHE
ÇAKALLI I QEVERISË
Njoftimi se “Ujku” i Cërrikut u arrestua, u shpërnda me shpejtësi ne median online. Nga dje, personazhi i njohur për pamjen e tij dhe deklaratat në emisione sarkastike, u shpall “armik publik”! U shpall i tillë me urdhër të Çakallit Kryeministër që qëndron në krye të vendit dhe që u zbatua me qejf nga kapterri i tij prej qelqi.
“Ujku” që njihet në Cërrik për pozitivitetin e tij, për humorin që prodhon, por dhe për varfërinë që e shoqëron, nga dje është shpallur “kriminel”. Ndërsa Çakalli, i shquar për grabitjet spektakolare të publikut, për bashkëpunim me krimin, për hajdutëri gjigande me miliarda, dje është duartrokitur nga njerëz-karrike që shpirtin nuk e kishin marrë me vete, si “i nderuar”!?
Këtu kemi mbërritur!
“Ujku” i Cërrikut, shprehu zemërimin e tij kundër varfërisë, mjerimit, padrejtësisë dhe përfundon pas hekurave. Çakalli Kryeministër që batërdis, mashtron, kriminalizon, deliron çmendurisht një vend të tërë shijon luksin e pushtetit. Kjo është Demon-kracia jonë që duhet përmbysur!