INTERVISTA – “Në Shkodër duam të dalim kampion me të gjitha sportet”, Alban Xhaferi flet jo vetëm për futbollin…

Zakonisht zëri i shumicës dhe sidomos ai i tifozëve që e shikojnë futbollin të përfshirë nga entuziazmi i madh dhe jo në detaje, është i gabuari, për t’u mos marrë shumë në konsideratë sa i përket vendimeve kyçe. Por ky nuk ishte rasti i sportdashësve të Shkodrës që shtyn Alban Xhaferin që të mendonte për të marrë Vllazninë e futbollit. Pasi panë sukseset e arritura nga Xhaferi me ekipin e basketbollit, tifozët ishin të lumtur nga njëra anë, por në tjetrën nuk e hiqnin dot mendjen nga dështimi me futbollin. Le të themi se pika ku kishte mbërritur Vllaznia ishte “peng në zemër”.

Në Shkodër futbolli përjetohet shumë, është fe. Nuk po themi asgjë të re deri në këtë pikë, ashtu si edhe nëse do të kujtojmë skenat ku kishte mbërritur Vllaznia. Nga përplasjet te bojkoti para kamerave, duke e kthyer klubin historik në një nivel qesharak. Për këtë arsye tifozët menduan: “Si ta dërgojmë ekipin e futbollit në të njëjtin nivel me basketbollin? Atëherë le t’i marrim presidentin”.


Sugjerimet e shtuara në veshin e Xhaferit dhanë efektin e tyre që të bindej për t’i hyrë kësaj rruge. Albani u afrua fillimisht si sponsori i ekipit, ndërsa së bashku me të erdhi dhe suksesi. Sezoni i parë: “Kupa e Shqipërisë, titulli ndahet në javën e fundit me golavarazh dhe kalimi i turit në Europë”. E çfarë mund të bëhej më tepër? Ndoshta asgjë, ndoshta…ishte kulmi i arritur dhe kalimi i pritshmërive.

Tanimë Xhaferi zotëron të gjitha aksionet e Vllaznisë dhe është presidenti i saj. Në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres”, presidenti i ri na tregon projektet e tij. Të gjithë pyesin: “Sa do të ndryshojë Vllaznia?”. Ndërkohë ne ishim të interesuar të dinim: “Sa do të ndryshojë Xhaferi tani që është presidenti i Vllaznisë? A duhet të presim një tjetër president Xhaferi nga sponsori Xhaferi?”.

Por në të dyja pyetjet, pak interes ka nga ana e tifozëve. Objektivi primar i Albanit është ndërtimi i infrastrukturës së duhur për përgatitjen e ekipit dhe akademisë. E megjithatë tifozëve u intereson më shumë rezultati që arrihet në fund dhe nuk duan t’ia dinë aspak për gjithë punën zinxhir që të arrihet deri në këtë pjesë. E parë në këtë këndvështrim, Xhaferi dhe Vllaznia nuk duhet të ndryshojnë asgjë nga sezoni i shkuar.

Tanimë duhet të thërrasim presidenti i Vllaznisë së futbollit. Çfarë ndryshimi do të vëmë re tek Albani pikësëpari pastaj për të folur për klubin?

(Qesh) Nuk e kisha menduar më herët në fakt. Albani do të qëndrojë si ka qenë më para, i njëjti. Në kuadrin e klubit do të ketë disa ndryshime strukturore dhe administrative. Tashmë nuk jemi më në kuadrin e bashkisë, po të privatit. Pra ndryshimet e mia do të jenë në anën administrative, jo teknike me lojtarët pasi më njohin mua, kanë një vit që kanë komunikim me mua. Ndryshime për ta do të ketë pasi do t’i sigurojmë edhe më shumë suport nga aspekti financiar.

Nga basketbolli në futboll. Na trego pak ndryshimet e përgjegjësisë dhe detyrës…

E kam thënë më parë, basketbolli ka organizim më të vogël se futbolli. Interesi është më i vogël. Në kuadrin e futbollit, Vllaznia ka organizim më të madh. Baza është e marrë nga eksperienca te basketbolli, futbolli ka sfida të tjera më të vështira dhe dinamike. Menaxhimi është padyshim sfida më e vështirë, por ideja mbetet e njëjta. Duam të dalim kampion me të gjitha sportet ne në Shkodër. Do të vazhdoj edhe në drejtimin e ekipit të basketbollit, bashkia duhet të jap mbështetje. Është ekip me histori të madhe dhe që ka fituar tituj edhe Vllaznia e basketbollit. Të gjithë biznesmenët e kanë derën e hapur që të japin kontributin e tyre. Pjesa e futbollit është pak më ndryshe pastaj, por i kam dërguar ftesën edhe aty biznesmenëve dhe sponsorëve që të afrohen.

Sezoni i parë me Vllazninë. Çfarë të mësoj më tepër në lidhje me historitë e futbollistëve? Pra janë më “tradhtar” ata të futbollit apo basketbollit kur flitet për premtime të caktuara që nuk mbahen?

(Qesh) Sporti ka të njëjtën dinamikë në fakt. Ne ndjekim të njëjtën filozofi nga ana jonë, ndërsa në futboll këto “lojëra” janë më shumë dinamike.

Po drejton një stemë legjendare në futbollin shqiptar. Cili është plani dhe kush është pika më e lartë që Xhaferi mund të kënaqej me veten e tij pikësëpari dhe të thuash…”Po, ia dola?”.

Sa mbaroi ankandi, gjëja që mendova ishte ristrukturimi i klubit që të funksionojë më mirë se më parë në menaxhimin e Bashkisë. Këto janë disa plane afatshkurtër me infrastrukturën që duhet të ndërhyjmë sa më shpejtë dhe ta ndryshojmë për t’i ardhur në ndihmë akademisë dhe ekipit të parë. Pjesa e rezultateve që duhet t’i arrijmë me Europën si objektivi minimal dhe titulli si objektivi maksimal. Rimodelimi i klubit nga ana administrative dhe afrimi i sponsorëve. Ndërkohë në plasin afatmesëm është ndërtimi i klubit model europian. Vllaznia ëndërron që të kalojë në fazat e grupeve të Europës, është ëndrra jonë. Do ta arrijmë me planin afatmesëm.

E kemi prekur edhe më herët. Shumë president të Superiores ankohen se nuk i dalin llogaritë dhe e shohin detyrën e tyre si përgjegjësi që duhet plotësuar, jo se sjellë fitime. Atëherë, si futet Xhaferi në këtë treg?

Sporti në Shqipëri nuk sjell fitime, madje as në Europë me sa kemi studiuar. Nuk kanë përfitime direkte nga sporti. Synimi im është që të krijoj klub model që të “siguroi veten” me të ardhura. Pra shpenzimet e klubit të sigurohen nga të ardhurat e veta, nga sponsorat, shitjet e biletave, transferimi i lojtarëve të akademisë. Futbolli nuk është biznes që krijon të ardhura pasi ligjet në Shqipëri nuk janë favorizuese, nuk shfrytëzojmë dot të gjitha asetet. Disa prej tyre janë ende në funksion të bashkive dhe jo të klubeve. Qeveria duhet ta ndihmoj më shumë sportin, duhet të mendoj për këtë gjë. Mesa kam parë si në futboll dhe unë në basketboll, ne vetëm nxjerrim para nga xhepi.

Tirana ka shitur dy futbollistë te Legia e Varshavës. Një prej objektivave të tua është edhe prodhimi i sa më shumë talenteve dhe nxjerrja e tyre në ekipin e parë. Do të jetë e largët dita që të shohim edhe Vllazninë duke shitur lojtarë për ekipet më të njohura në Europë dhe jo duke përforcuar rivalët në Shqipëri?

I kemi vendosur disa direktiva grupit teknik që të marrim disa lojtarë nga akademia. Kemi marrë disa futbollistë që të krijohet modeli që çdo lojtar që ka ambicie dhe talent, të krijohet mundësia që të luajë me ekipin e Vllaznisë. Tirana ishte model suksesi.

Sezoni i parë dhe erdhi suksesi i menjëhershëm, pa harruar edhe problemet. Vllaznia është gjithmonë ambient i nxehtë. Si ke arritur të menaxhosh të gjithën këtë?

Pak e vështirë në Shkodër të menaxhohet situata(qesh). Ultrasit janë të emocionuar, është gjë e bukur për futbollin. Shumë pozitive pasi një skuadër pa tifozët nuk është asgjë. Nëse nuk do të kishim këta tifozë të Vllaznisë, unë nuk do të isha këtu. Por adrenalina është pak më e lartë se duhet te një grup tifozësh. Duhet që ta ndihmojnë klubin në të mirë dhe në të keq. Dëmi që morëm nga sjellja e një grupi tifozësh në Europë ishte i madh. Historia ka treguar e në Shkodër kanë ardhur edhe tifoze femra, ka qenë stadiumi i mbushur me 20% femra. Pra unë kam besim se kultura do të vazhdohet që të ruhet, jam optimist, pavarësisht këtyre rasteve të përjashtimit. Ndryshe ne do të marrim masat tona të ashpra. Po mendojmë që të tërheqim sa më tepër edhe familjarët në stadiume.

Ndeshja e fundit ishte finalja e Superkupës. Martini u shpreh se u tregua se kush e meritoi titullin kampion në sezonin e shkuar. Ndan të njëjtin mendim?

Fituesi nuk gjykohet, e merituan fitoren e tyre. Deklaratat e para ishin të nxituara, optimizimi i madh na solli në këtë rezultat. Martinin dhe presidentin e Teutës e urova për fitoren, duhet të mësojmë nga kjo humbje. A ishte ky treguesi që e meritoi vjet Teuta? Nuk e di. Në fakt nuk mund të përdoret si barometër një 90 minutësh me gjithë sezonin.

Finalja e Conference League vjen në Shqipëri, stadiume të reja, më shumë kalim turesh, provimi i Europa League, po shiten më shumë lojtarë në tregun jashtë. Si e shikon të ardhmen e futbollit shqiptar?

Jam i kënaqur që ka progres të vazhdueshëm. Nga ana e infrastrukturës është Qeveria dhe Federata që kanë bërë shumë investime. Ka lëvizje pozitive, mund të përmirësohet më tepër me kalimet e tureve nga ekipet shqiptare në Europë, duhet të shkojmë në grupe tani. Mendoj se e kemi këtë mundësi me strukturën që kanë klubet tani. Por sigurisht që ka gjëra për t’u përmirësuar dhe punuar. Duhen mbështetur më shumë akademitë, nuk kemi kompleks të mirëfilltë për fazën parapërgatitore. Kemi vendet e duhura për ta pasur, por nuk kemi kompleks të mirfilltë. Megjithatë të ardhmen e shoh shumë pozitive. /Sport Ekspres/