Pas tërheqjes së kandidatit të vetëm për Kryebashkiak të Shkodrës, ka një ngërc ligjor, si zgjidhet ky ngërc?
Normalisht nuk ka një një ngrec ligjor nëse flasim për zbatim korrekt të ligjit, por ngërci që ju i referoheni është pasojë e një seri shkeljesh ligjore dhe devijimesh të qëllimshme nga ajo cfarë parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi në RSH, si dhe si pasojë e vetgjyqësisë institucionale që karakterizon Shqipërinë prej kohësh. Konkretisht, i referohem faktit që votimet e 30 qershorit 2019 u zhvilluan pa një Dekret Presidencial dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e RSH dhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (KEDNJ), si dhe protokolleve shtesë të saj.
Konkretisht, midis të tjerash, zgjedhjet ishin moniste, pa mundësi zgjedhje dhe ku kandidati mund të zgjidhej teorikisht edhe vetëm me votën e tij, pra vota e votuese nuk kishte asnjë vlerë, si dhe u shkel fshehtësia e votes etj. Pra ato u zhvilluan në kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës së RSH, në lidhje edhe me nenet 1, 2, 3, 4, 5, 13, 15, 17, 116 dhe 122 të sa, si dhe nenit 3 të Protokollit Shtesë Nr.1 të KEDNJ. Një faktor tjetër kontribues ishte, prirja dhe ndikimi partiak i institucioneve si KQZ, përfshi edhe ndikimin e politikës tek Kolegji Zgjedhor, por edhe paaftësia dhe mungesa e guximit profesional dhe njerëzor të gjyqtarëve që shqyrtuan verifikimin e mandateve të kandidatëve të zgjedhur.
Nga ana tjetër, ngërci ka ardhur edhe si pasojë e mungesës së Gjykatës Kushtetuese e cila tashmë do të kishte zgjidhur cështjen e kushtetutshmërisë së zhvillimit të zgjedhjeve.
Gjithësesi, për mua situata është me e thjeshtë. Jemi para një rasti ku sipas nenit 60 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, mandati i Kryetares znj. Voltana ADEMI, nuk ka përfunduar, pasi ai përfundon normalisht kur betohet kryetari pasardhës. Në rastin, konkret kandidati ose kryetari pasardhës nuk ka dhënë dorëheqjen, por nuk ka panuar të bëj betimin. Kjo nënkupton që znj. Ademi do vazhdojë mandatin pa asnjë kufizim derisa të zëvendësohet nga një i zgjedhur i ri rregullisht. Kjo nënkupton që mandati do të ushtrohet derisa të bëjë betimin një kryetar i zgjedhur në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 45 të Kushtetutës së RSH dhe KEDNJ.
A do të ketë zgjedhje të parashkohshme? Në kushtet kur kemi datën 13 tetor a do i dekretojë Presidenti i Republikës ato? Nëse po këto zgjedhjen do jenë vetëm për kryetarin apo edhe për këshillin?
Së pari duhet sqaruar që nuk jemi para rastit të dorëheqjes, por jem para rasti të germës a) të nenit 61 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” ose mbarimit të mandatit kur Kryetari “Nuk pranon të bëjë betimin”. Kjo do të thotë që kryetari i zgjedhur nuk e ka filluar ndonjëherë mandatin e fituar dhe ka një keqkonceptim të paragrafit 5 të po këtij neni pasi nuk përputhet ky rast me nenin 60 të po këtij ligji. Konkretisht, në këtë rast neni 61, duhet të kuptohet i lidhur me nenin 60, cfarë nënkupton që nuk mund të caktohet nga këshilli ndonjë zëvendës kryetar, por vazhdon ushtrimin e mandatit kryetari ekzistues, pra znj. Ademi. Cdo interpretim i kundërt për qëllime të axhendës politike, do të ishte vetëm një shfaqje e shëmtuar që i shkon për shtat vetëm një vendi jo demokratik dhe ligji dhe logjika e humbasin kuptimin dhe i lënë vend anarkisë dhe vetgjyqësisë.
Kjo do të thotë që në kushte normale do të kishim zgjedhje të parakoshme, të cilat do të zhvilloheshin vetëm për kryetarin. Në rastin konkret, mendoj që z. Meta nuk do të pranojë të dekretojë datë tjetër, pasi në këtë mënyrë do të njihtë vlefshmërinë e zhvillimit të votimeve të datës 30 qershor 2019 dhe kësisoj edhe të jokushtetutshmërisë së dekretit të tij për shfuqizimin e datës 30 qershor 2019. Prandaj, gjykoj që situata do të mbetet pezull sikurse është tani, derisa cështja e zgjedhjeve të marr një përgjigje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese sapo të krijohet. Kjo situatë dhe cdo dite që kalon do të mundësojnë argumente dhe fakte shtesë për antikushtetutshmërinë dhe paligjshmërinë e votimeve të 30 qershorit 2019.
Ndërkohë, gjykoj që në kushtet kur votimet e 30 qershorit ishin haptazi jo kushtetuese, duhet në cdo rast qoftë vetëm për Shkodrën apo edhe në tërësi, të kemi një përsëritje të plotë të tyre jo vetëm për kryetarët e bashkive, por edhe për këshillat.
Përse partitë politikë promovojnë njerëz me të shkruar kriminale? Si zgjidhet kjo?
Mendoj që arsyet janë disa sikurse vijojnë:
1. Partitë nuk i zgjedhin më kandidatët e kësaj kategorie, por kandidatët ju imponohen partive politike të cilat i zgjedhin ato, pasi lidhja politike dhe botë e krimit, aktualisht në Shqipëri është në periudhën e saj të lulëzimit si kurr ndonjëherë në histori. Pastrimi i kandidatëve dhe i të zgjedhurve të tjerë, fillon së oari nga pastrimi i partive nga njerëzit e botës së krimit.
2. Këto njerëz janë të lehtë për t’u urdhëruar që të kryejnë gjithë veprimtarinë e paligjshme që ju duhet forcave qeverisëse, pasi ato nuk kanë respekt dhe as ndonjë ndjenjë frike ndaj ligjit dhe sanksioneve të tij.
3. Këto njerëz, janë ato që mbushin financat e partive me para e aktivitetit kriminal dhe nuk kërkojnë faturë për këto shërbime, por kërkojnë poste për të rritur më shumë aktivitetin e tyre dhe për të fituar mbrojtje institucionale dhe politike.
4. Kryetarët e partive të ndihmuar edhe nga sistemi aktual, duan njerëz jo me integritet dhe profesionistë të cilët do t’ju thonin atyre shumë here jo, por duan vëtë shërbëtorë që nuk e njohin fjalën “jo”.
5. Është pasojë e drejtpërdrejtë edhe e korruptimit të elitave të vendit, të cilat janë ato që udhëheqin dhe orientojnë opinionin publik dhe mbarë vendin.
6. Është pasojë e rënies së dukshme të ndërgjegjës dhe moralit në shoqërinë tone, kjo e lidhur shumë edhe me rënien e përgjithshme të nivelit arsimor dhe kulturor në masën e popullsisë tonë.
Zgjidhja e këtij problem bëhet së pari nëpërmjet ndryshimit të sistemit dhe kufizimit të kompetencave të kryetarëve të partive për të caktuar kandidatët, si dhe nëpërmjet lehtësimit të kandidimit të kandidatëve të pavarur dhe partive të vogla. Nga ana tjetër, gjykoj që para se një kandidat të regjistrohet nga KQZ si kandidat për kryetarin e bashkisë, duhet që të verifikohet paprakisht. Kjo nuk e shmang plotësisht, por e zvogëlon në maksimum mundësinë.
Është fakt, se në votimet e 30 qershorit 2019, ka edhe shumë të zgjedhur të tjerë me histori kriminale dhe sidemos një numër shumë i madh i tyre është në radhët e anëtarëve të këshillave bashkiakë.
Po ashtu, procesi i verifikimit paraprak mund të ishte edhe me i lehtë nëpërmjet krijimit të një bankë të dhënash ose regjistri të dekriminalizimit, i cili krahas të dhënave të regjistrit aktual të gjendjes gjyqësore, do të përmbante edhe të dhënat e dënimeve të mëparshme të rehabilituara sipas Kodit Penal. Ky regjistër do të duhet të administrohet dhe të jetë i qasshëm vetëm për qëllime të verifikimit para zgjedhjes dhe duhet të ketë protokoll shumë të fortë mbrojtje të të dhënave dhe qasja në të do të duhej të bëhej nga disa persona dhe me autorizimin e disa personave njëkohësisht, pasi në rast të kundër do të ishte një mjet santazhi dhe lincimi public për personat që janë të rehabilituar sipas Kodit Penal. /Intervistoi Riveira DEDAJ, Mapo.al/