
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët, u ekstradua nga Italia në Shqipëri, një 33-vjeçar, Sueld Elezi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”. Ky shtetas akuzohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 2 kg Kokainë në Itali, ndërsa gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kg Kokainë në Itali.
Gjithashtu, nga Interpol Tirana u ekstraduan:
-në Gjermani, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, Roy Garin, pasi autoritetet gjermane kanë lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Mashtrim me shuma të mëdha”, për 33 raste;
-në Mbretërinë e Bashkuar, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, Altin Shehu, sepse Gjykata e Kentit të Veriut, Mbretëri e Bashkuar, me vendimin e datës.15.01.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”.




