Pas lajmeve në media për incident në stërvitje të trajnerit Agim Canaj, të cilit i janë vendosur duart në fy nga futbollistë, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i KF Vllaznia sh.a. Në deklaratën e shpërndarë në faqen zyrtare të KF Vllaznia sh.a., thuhet:
Klubi i Futbollit Vllaznia, në përgjigje të interesit publik dhe të mediave sqaron sa më poshtë vijon:
Pasi jemi njohur me shqetësimin e ngritur nga stafi teknik ditët e fundit për veprime anti-sportive në Ekipin e Parë, po e shqyrtojmë me përgjegjësinë e duhur dhe në interesin më të lartë të Klubit dhe tifozëve dhe në momentin kur të ketë një vendimmarrje, si gjithmonë, do ti bëhet e njohur mediave dhe opinionit publik.
Po ashtu, sqarojmë se stafi i Klubit të Futbollit Vllaznia vazhdon i pandryshuar punën e tij të përditshme për të finalizuar objektivin e ringritjes në Superligë.