
Pikërisht atëherë kur duhej të ishte një atmosferë tjetër, pasi Vllaznia është vetëm 4 pikë larg sigurisë matematikore për rikthimin në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, klubi shkodran është sërish në një atmosferë jo të këndshme. Për të dytën ditë radhazi, skuadra shkodrane nuk ka zhvilluar asnjë seancë stërvitore të enjten dhe gjithçka ka ardhur pas incidentit të një dite më parë, kur drejtuesit e ekipit shkodran dhe trajneri Agim Canaj kanë patur incidente lidhue me përfshirjen në formacion apo grumbullimin në ekip të lojtarëve të ndryshëm.
Burimet saktësojnë se kërcënimet për përfshirjen e lojtarëve të ndryshëm në formacion kanë nisur që përpara sfidës së kaluar me Besëlidhjen. Vetë Canaj nuk është prononcuar për mediat, ndërsa sipas raportimeve të ndryshme, ai ka paraqitur dorëheqjen, por që nuk është pranuar nga drejtuesit e klubit dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
I kontaktuar nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar me telefon, drejtori sportiv i klubit të Vllaznisë, Engin Firat, ka pohuar se pritet një takim me Ademin. “Unë nuk kam qenë aty gjatë këtyre ditëve dhe as kur Canaj u prezantua si trajner për shkak të impenjimeve të ndryshme të kam patur në Turqi, si për arsye personale, ashtu edhe për arsye profesionale, – ka pohuar 48-vjeçari, duke folur nga Stambolli. “Pak para bisedës me ju, kam patur një telefonatë me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademin, me të cilën do të zhvillojmë një takim sapo të kthehem. Kaq mund të them për momentin, pasi duhet të jem aty që të mësoj më tepër”, – ka përfunduar drejtori sportiv i Vllaznisë. /Marrë me shkurtime nga RTSH.al/