
Anilë!
Një ditë më parë, me 9 prill 2026, në bisedë me një koleg timin e tonin, më të ri në moshë dhe eksperiencë jetësore por edhe në profesion, të kujtuam. Ai po përgatiste diçka për 5- vjetorin e ikjes tënde shumë të parakohshme dhe të beftë nga kjo jetë. Më bëri një pyetje për ty, si gazetare. “Si gazetare, ishte shumë e mirë dhe për mua, është gazetarja më e mirë e kronikës që ka patur jo vetëm Shkodra”, iu përgjigja. “Ka qenë një arkivë e gjallë dhe madje, i mësonte ngjarjet “para se të ndodhnin” sepse kishte burime si askush”, shtova.

Kaluan shumë shpejt 5 vite nga largimi yt. Ky kolegu ynë po më pyeste sërish për ty, duke kujtuar gazetën “Piaca” që ti nise të publikoje, pavarësisht se media print (e shtypur) po kalonte momente të vështira. Më pas, biseda kaloi tek Anila si letrare, pikërisht tek monografia “Pavlina”, të cilën na e lë si një ndër kujtimet e tua më të bukura para largimit nga kjo jetë.
Dushi,
Ti je larguar nga kjo botë, por me gjasë nëse ka diçka të vertetë, ti vazhdon të na shohësh, ne jo por përpiqemi të kuptojmë shenjat që mund të na japësh me praninë tënde. Ndër më të bukurat dhe më të mirat që na ke lënë pas, është shembulli yt: Gazetaria nuk ka orar dhe duhet të përpiqet ti sherbejë gjithmonë njëerëzve, nevojtarëve, pavarësisht kostove. Këtë nuk e di, nuk e dimë nëse ia kemi arritur apo to ja arrijmë për kohën që do ti kushtojmë gazetarisë.

Anilë,
Mund të them e shkruaj shumë për ty. Jo që ti lexosh apo kuptosh ti por ata që erdhen pas teje, pas nesh dhe morën e vazhdojnë stafetën që ti e ndërpreve padrejtësisht dhe shumë shpejt. Ishe shembull ndër ne dhe mendoj se një çmim, një titull me emrin tënd për gazetarinë në përgjithësi por edh atë hulmutuese, pse jo investigative, do të ishte në nderin e Bashkisë apo Qarkut të Shkodrës. Është hera e parë që e shkruaj publikisht dhe mbase dikujt do ti bjerë në sy, edhe pse kjo kohë që po jetojmë Anilë, është më shumë se e çmendur.
Anilë,
5 vjet kaluan, nuk e dimë edhe sa të tjerë do të kalojnë për tu takuar sërish. Nuk e kishe ti në dorë, nuk e kam unë në dorë, nuk e kemi ne në dorë por një ditë do të takohemi. Çdo gjë do të vazhdojë aty ku u ndërpre disa vite më parë, sikur të mos ishte ndërprerë kurrë. Deri atëherë Anilë, shpresoj të jesh e rrethuar nga të dashurit e zemrës tënde aty ku ndodhesh, sigurisht Parajsë, sepse ti e meritoje më shumë se askush tjetër, sidomos pas një jete tokësore, aspak, po aspak bujare me ty! /Nga Blerti DELIJA/




